E Diel, 1 Nëntor 2026

Pragu 3 milionë, 90 mijë biznese në TVSH



Ulja e pragut të TVSH-së së biznesit nga 5 milionë lekë xhiro në vit në 3 milionë lekë, pritet të fusë në skemë rreth 90 mijë biznese të reja. Kjo do të thotë që shumica e biznesit aktiv në vend do të preket nga ky vendim që pritet të merret nga Financat. Aktualisht në këtë skemë janë të përfshira 24,927 biznese të cilat kanë një xhiro vjetore minimalisht mbi 5 milionë lekë por ky numër do të rritet në mënyrë të konsiderueshme nëse pragu minimal i TVSH-së do të shkojë 3 milionë lekë. Pas ndryshimeve në buxhet duket se futja në TVSH e biznesit me një xhiro më të ulët se 5 milionë do të jetë një nga detyrat kryesore të Financave. Do të jetë ligji ai që do të sanksionojë edhe pikat kyçe nëse këto biznese do të kenë përgjegjësi për tatimfitimin, do të paguajnë taksat si biznes i madh apo edhe nëse subjektet do të jenë me TVSH që në muajin janar të vitit që vjen. Kjo nismë që pritet të zërë vend së shpejti në debate vjen pas deklaratës që kreu i Ministrisë së Financave Ridvan Bode bëri gjatë muajit qershor kur u shpreh se po mendohet që në vitin 2011 të bëhet një ulje e pragut të TVSH-së deri në 3 milionë për bizneset. Ndërkohë ai theksoi se më vonë ky prag do të shkojë në 2 milionë lekë xhiro vjetore dhe ky do të jetë edhe limiti i fundit për përfshirjen në TVSH të biznesit. Financat dhe Tatimet e kanë justifikuar herë pas here futjen e biznesit në skemë me faktin e formalizimit të ekonomisë si rezultat i implementimit të pajisjeve elektronike fiskale. Nga ana tjetër është edhe fakti që bizneset do të jenë të detyruara që të bëjnë regjistrimin e gjithë të punonjësve që kanë të punësuar.
FMN
Fondi Monetar Ndërkombëtar i rekomandoi Qeverisë shqiptare në veçanti Financave që të rishikojnë bazën e taksave në mënyrë që të rritin të ardhurat dhe rrjedhimisht të ulet borxhi. Qeveria shqiptare ka deklaruar hapur se nuk do të bëjë asnjë rishikim të bazës së taksave për t'i rritur ato, por praktikisht ka gjetur një mënyrë tjetër për të zbatuar këshillën e Fondit. Në kohën kur s'mund të zgjerohet baza e taksave mund të zgjerohet baza e tatimpaguesve çka do të sjellë të njëjtin efekt mbi të ardhurat. Një tjetër këshillë e FMN-së lidhet me forcimin e administratës tatimore e cila lidhet drejtpërdrejt me mirëmenaxhimin dhe eficencën e sistemit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›