E Diel, 1 Nëntor 2026

TEC-i i Vlorës brenda javës nis prodhimin e energjisë

Drejtori i këtij TEC-i ka bërë me dije se “TEC-i do të vihet në funksion në prag të festës tradicionale të Vitit të Ri dhe energjia e prodhuar do të përfshihet në sistemin kombëtar, për të garantuar vazhdueshmëri në furnizimin e konsumatorëve".

Sipas drejtorit Maliq Haxhiaj, futja në prodhim e TEC-it ka qenë e kushtëzuar nga kushtet e papërshtatshme detare të ditëve të fundit, rrjedhojë e motit të keq.  "Teknologjia e avancuar e këtij objekti është e kushtëzuar nga parametrat e detit, prej ku sigurohet sasia e nevojshme e ujit për procesin e ftohjes. Në këto rrethana, përmirësimi i parametrave detarë dhe sigurimi i sasisë së lëndës djegëse(gazoil i cilësisë së lartë), do të mundësojnë futjen në prodhim të TEC-it, si një burim i fuqishëm i gjenerimit të energjisë elektrike në vend", u shpreh Haxhiaj.

Procedurat ligjore për vënien në funksion të këtij objekti nisën në fillim të muajit dhjetor. Pjesë e këtij procesi, përveç sigurimit të një sasie fillestare prej 7000 metër kub gazoil të cilësisë së lartë nga importi, është edhe plotësimi i detyrimeve të tjera ligjore, që garantojnë futjen gradualisht në ngarkesë.

Vënia në funksion e TEC-it do të realizohet me kapacitetin e mundshëm teknologjik të tij, duke e shndërruar atë në një burim alternativ të konsiderueshëm për të kompensuar nevojat me energji të vendit. Ndërtimi i TEC-it të ri të Vlorës, përbën investimin e parë pas rreth tre dekadave, në sistemin e prodhimit të energjisë në vend. Teknologjia e tij përfaqëson arritjet më të fundit në këtë fushë në vendet më të përparuara, si SHBA, Angli, Gjermani, Itali, Francë etj.

Sistemi i prodhimit të TEC-it, është i alternuar. TEC-i i ri i Vlorës, me një fuqi prej 97.167 MgW, është me cikël të kombinuar, me një aks, gaz dhe avull. Turbina e gazit, funksionon me lëndë djegëse distilat nafte(D1), me më pak se 0.1 për qind squfur, në përputhje të plotë me standardet e BE(deri në 0.2 për qind). Funksionimi i tij me ngarkesë të plotë, garanton përmirësim të ndjeshëm të furnizimit të vendit me energji, në aspektin sasior dhe cilësor.

 Punimet për ndërtimin e TEC-it nisën në shtator të vitit 2007. Projekti i tij, me një vlerë prej rreth 92 milionë euro, është financuar nga Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim(BERZH), Banka Evropiane e Investimeve(BEI), si dhe KESH. Specialistët vlerësojnë se energjia elektrike e prodhuar prej këtij objekti në periudhën gusht, shtator, tetor, rezulton me mjaft leverdi. /Start/

                                                                                             2011-12-25 09:38
   

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›