Taksa e pastrimit, pagesa bashkë me faturën e ujit
Vendimi propozohet nga Bashkia e Tiranës për vitin 2012. Tarifa e pastrimit dhe largimit të mbeturinave për 180 mijë familje në Tiranë, do të paguhet në 12 këste të barabarta, në shumën 417 lekë për çdo muaj
Ndryshon mënyra e pagesës së tarifës prej 5000 lekësh të pastrimit dhe largimit të mbeturinave, për mbi 180 mijë familje në kryeqytet. Duke nisur nga viti 2012, detyrimet e familjarëve për pastrimin dhe largimin e mbeturinave nuk do të paguhen një herë në vit, apo në dy këstet e përcaktuara brenda vitit, por do të mblidhen për çdo muaj nga Ujësjellësi bashkë me faturën e ujit të pijshëm. Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës do t’i paraqesë për miratim këshillit bashkiak në mbledhjen e tij të fundit për këtë vit, projektvendimin “Për disa ndryshime në vendimin e këshillit bashkiak nr.3, datë 5.2.2007 “Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës’”, të ndryshuar. Sipas këtij projektvendimi, tarifa e pastrimit dhe largimit të mbeturinave për kategorinë e familjarëve do të paguhet në 12 këste të barabarta për çdo muaj, përkatësisht në shumën 417 lekë për çdo familje. Ky detyrim do të evidentohet në faturën e konsumit të ujit, dhe likuidimi i pagesës do të kryhet njëkohësisht me pagesën e konsumit të ujit. “Agjenti i ngarkuar për mbledhjen e tarifës së pastrimit dhe largimit të mbeturinave për kategorinë familjarë është Ujësjellës-Kanalizime sh.a, duke përfituar 5% të shumës së arkëtuar, ndërsa për të gjitha subjektet e tjera (shtetërore dhe private) strukturë e ngarkuar është Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore”, thuhet në projektvendim.
Dështimi i mbledhjes së taksave dhe tarifave vendore nga njësitë përkatëse bashkiake ka bërë që drejtuesit e Bashkisë së Tiranës të kërkojnë një mënyrë të re, që pritet të jetë eficiente për arkëtimin e tyre. Edhe pse iu krijuan përgjithësisht kushtet për arkëtime maksimale nga kategoria familjarë, njësitë bashkiake ashtu si dhe agjentët paraardhës, për shkak të pretendimeve subjektive nuk mundën të realizojnë objektivat që i caktonte këshilli bashkiak i Tiranës. Po kështu, e njëjta eksperiencë me mbledhjen e detyrimeve të familjarëve është shënuar edhe në rastin kur ato vileshin nga strukturat e KESH-it, dega Tiranë, në vitet 1994-2003. Ndërkohë që edhe me Postën Shqiptare kjo praktikë nuk ka pasur rezultatin e duhur, për vetë faktin se ky institucion shtetëror nuk ka askes ligjor në marrjen e masave detyruese për mbledhjen e detyrimeve vendore, pasi nuk e ka domosdoshmërisht detyrim kontaktimin me qytetarët. Në këto kushte, Bashkia e Tiranës ka parë si agjent të suksesshëm për mbledhjen e detyrimeve të familjarëve Ujësjellës-Kanalizimet sh.a, që është provuar më parë në këtë proces për një periudhë 2-vjeçare. Të dhënat tregojnë se niveli i mbledhjes së taksave dhe tarifave të familjarëve gjatë vitit 2005 dhe 2006 nga Ujësjellësi kanë qenë respektivisht, 72% për të parin, dhe 77% për të dytin. Po kështu, një tjetër arsye pse propozohet Ujësjellësi është fakti se ky institucion disponon regjistër analitik për 142 273 abonent, ku përfshihen 121 947 familjarë, 19 733 privatë, 454 buxhetorë dhe 139 jobuxhetorë. Nga 186 000 familje të evidentuara në zyrat e Gjendjes Civile në kryeqytet, Ujësjellësi ka të evidentuar me kontratë 121 947 prej tyre, ose 65.5% të familjeve banuese në Tiranë. Duke qenë se kapaciteti i kontraktuar është për 121 947 familje, nga llogaritjet për 80% të familjeve të kontraktuara, rezulton se është e mundur që arkëtimet të jenë në shumën 487 790 000 lekë. Nga këto të ardhura, UKT, si agjent tatimor përfiton vlerën e 5% në shumën 24 390 000 lekë, ndërsa vlera e 95% në shumën 463 400 000 lekë do të kalojë për Bashkinë e Tiranës.
Nga 186 000 familje të evidentuara në zyrat e Gjendjes Civile në kryeqytet, Ujësjellësi ka të evidentuar me kontratë 121 947 prej tyre, ose 65.5% të familjeve banuese në Tiranë.
Niveli i mbledhjes së taksave 2007-2011
Realizimi i arkëtimeve nga taksat dhe tarifat vendore prej kategorisë familjarë tregon për një mos angazhim dhe mos plotësim të detyrimit si agjent tatimor, që shprehet për vitet 2007-2011, si më poshtë:
Viti 2007
Nga shuma totale 251 000 000 janë mbledhur 133 590 418, pra 53%
Viti 2008
Nga shuma totale 729 154 850 janë mbledhur 249 711 356, pra 34%
Viti 2009
Nga shuma totale 782 296 836 janë mbledhur 195 179 970, pra 25%
Viti 2010
Nga shuma totale 782 296 836 janë mbledhur 195 179 970, pra 25%
Viti 2011, 10-mujori
Nga shuma totale 736 780 000 janë mbledhur 41 553 000, 5.6%
Kategoritë që përjashtohen nga pagesat
Kategoritë e përjashtuara nga pagesa e tarifës së pastrimit, ku përfshihen: pensionistët, veteranët, invalidët e punës e luftës, përfituesit e ndihmës ekonomike, të verbrit dhe të sëmurët tetraplegjikë, për të mundësuar këtë përjashtim, duhet të dorëzojnë pranë zyrave të agjentit tatimor dëshminë e gjendjes së tyre dhe konkretisht: dokumentin që vërteton kushtin që të jenë kryefamiljarë dhe pa persona të tjerë madhorë përveç bashkëshortit ose bashkëshortes, në certifikatën familjare; librezën e veteranit ose invalidit të luftës, statusin e invalidit të punës e të luftës, statusin e të verbrit, të sëmurëve paraplegjikë e tetraplegjikë, librezën e pensionit dhe vërtetimin nga njësia bashkiake për përfituesit e ndihmës ekonomike.