TEC-i i Vlores, provat e testimit nisin muajin e ardhshem
Vlorë, 14 shkurt 20:32 NOA - TEC-i i Vlorës do të hyjë në funksionim me kapacitet të plotë prodhimi, duke filluar nga muaji qershor i 2009.
Deklarata vjen nga kreu i Entit Rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta, sipas të cilit, "Tec-i i Vlorës ndodhet në fazë përfundimtare.
Kështu, gjatë shkurtit dhe marsit të këtij viti parashikohet që të fillohet testimi, provat pa ngarkesë dhe me mbingarkesë, ndërsa nga fundi i majit dhe fillimi i qershorit ky TEC do të fillojë nga prodhimi", shprehet kreu i ERE-së, Nepravishta.
Sipas tij, ndërtimi i kësaj vepre do të eliminojë kufizimet e energjisë elektrike për Vlorën dhe gjithë zonën e bregdetit. TEC-i do të ndërtohet 5 kilometra larg qytetit dhe do të përqendrohet në zonën e degraduar të pyllit të Sodës.
Parashikohet që gjatë një viti ky TEC të prodhojë 800 milionë kilovat orë, ç'ka do të ndikojë ndjeshëm në prodhimin vendas të energjisë me rreth 3 milion kilovat orë në ditë. Me një kapacitet të instaluar prej 2.4 milionë kwh dhe me një fuqi prodhuese vjetore prej 800 milion kwh në vit, ky TEC do të plotësojë 15 për qind të nevojës për furnizim në qytetet kryesore të jugut të Shqipërisë, si dhe do të sigurojë shtesë energjie si rezultat i uljes së humbjeve nga transmetimi i energjisë elektrike nga veriu në jug.
Por, prodhimi i energjisë elektrike do të fillojë në gjysmën e kohës së ndërtimit përfundimtar të këtij projekti, duke prodhuar një sasi energjie prej rreth 60 mw/h që në vitin e parë të punimeve.
TEC-i do të jetë i përbërë nga një sistem krejtësisht të vetëmjaftueshëm dhe autonom për të pasur një operim dhe funksionim të sigurt. TEC-i i Vlorës, projekti i parë për shtimin e prodhimit të energjisë në vend, shënon kontratën e parë në fushën e gjenerimit të energjisë elektrike që prej më shumë se dy dekadash.
e.l/NOA