E Hënë, 2 Nëntor 2026

TEHERAN – Irani do të rifillojë bisedimet me OKB-në në lidhje me programin e saj bërthamor

TEHERAN, 18 gusht /ATSH-DPA/ – Irani planifikon të zhvillojë një raund të ri bisedimesh me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) në ditët e ardhshme, tha sot në Teheran zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmail Baghaei.

Ai nuk specifikoi datën e saktë apo vendndodhjen e takimit.

Në korrik, Irani pezulloi bashkëpunimin me IAEA-n, duke e akuzuar organizmin se nuk dënoi sulmet izraelite dhe amerikane ndaj një objektivi bërthamor iranian.

Më 13 qershor, Izraeli bombardoi objektiva në të gjithë Iranin, duke i quajtur sulme parandaluese për të ndaluar Republikën Islamike të ndërtonte një bombë bërthamore.

Teherani, i cili vazhdimisht ka theksuar se programi i tij bërthamor është vetëm për qëllime civile, e mohoi akuzën dhe u kundërpërgjigj me sulme me raketa e dronë ndaj Izraelit. Pas 12 ditësh lufte, gjatë të cilave SHBA-ja përdori armët e saj  kundër objekteve bërthamore iraniane, u arrit një armëpushim.

Javën e kaluar, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i IAEA-së, Massimo Aparo, vizitoi Teheranin për herë të parë që nga fundi i luftimeve, për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit të ardhshëm.

Megjithatë, Irani vazhdon të refuzojë t’i japë agjencisë akses në objektet e tij bërthamore, pasi më herët kishte dëbuar inspektorët ndërkombëtarë. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›