E Shtunë, 31 Tetor 2026

THE ECONOMIST: Ballkani drejt BE: Një hap para, dy pas

Në Ballkanin Perëndimor është një hap para, dy hapa prapa. Kroacia po ecën përpara pasi ka fituar formalisht një aprovim për tu bërë anëtar i 28-të i Bashkimit Europian, ndoshta në mes të vitit 2013. Por është një histori krejt ndryshe më në jug.  Maqedonia po ngre një statujë gjigante bronzi të Aleksandrit të Madh, një lëvizje që do garantojë humbjen e miqve dhe simpatisë, kurse Shqipëria është zhytur në një krizë që nuk i duket fundi.

Ky vit shënon edhe 20 vjetorin e pavarësisë së Maqedonisë dhe nisjen e konfliktit të saj më Greqinë. Grekët thonë se emri i vërtetë i Maqedonisë implikon pretendime territoriale ndaj Greqisë. Në raundin e fundit të përplasjes, Greqia ka ndalur progresin e Maqedonisë për tu bashkuar me BE-në dhe NATO-n. Në mars Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nisi një seancë për një çështje të sjellë nga Maqedonia kundër Greqisë për NATO-n.

Maqedonia ka fituar shumë simpati për pozicionin e saj. Ndaj kur maqedonasit thanë se kishin në plan të ngrinin një statujë të Aleksandrit në qendër të Shkupit, shumë supozuan se kjo ishte një shaka për të acaruar grekët, që e shohin atë si një figurë qendrore në historinë e kulturën e tyre. Nuk ishte kështu. E përgatitur në Itali, pjesët e statujës kanë mbërritur dhe ajo do të ngrihet brenda dy javësh. Zyrtarët e BE janë të dëshpëruar. Por jo Nikola Gruevski, kryeministri maqedonas. Ai ia ka dalë me gjestet e tij populiste që të fitojë zgjedhjet e përgjithshme më 5 qershor. Por a mund të ristartojë ai procesin e ndalur të anëtarësimit në BE, që është dhe mënyra më e mirë për të krijuar besim e për të sjellë investime të huaja e vende pune?

Shqipëria ndërkohë ka qenë e paralizuar politikisht që pas zgjedhjeve të kontestuara të qershorit 2009. Po bëhet edhe më keq. Eurokratët tallen se shqiptarët nuk mund të mbajnë as zgjedhje lokale pa gabuar. Edi Rama, lider i opozitës socialiste, ka qenë kryebashkiak që prej vitit 2000. Kur votat u numëruan, Rama dukej se kishte fituar me 10 vota nga 250 mijë.

Por jo kështu, thanë autoritetet elektorale. Disa njerëz kishin hedhur votat në kutinë e gabuar: në fakt kandidati i Partisë Demokratike ishte përpara me 81 vota. Ne duam që çdo votë të numërohet, insiston Aldo Bumçi i Partisë Demokratike. Edi Rama mohon duke thënë se rregullat zgjedhore ndryshuan gjatë numërimit dhe se në kuti kishte më shumë vota se votues. Që prej pesë javësh, mosmarrëveshja nuk është zgjidhur. Për fat të keq, psherëtin Edith Harxhi, zëvendësministrja e Jashtme e Shqipërisë, kjo do të thotë që procesi i integrimit ka ngecur.

*Botuar në versionin print

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›