E Diel, 1 Nëntor 2026

Kanosën policët, arrestohen dy të rinj

Policia ka vënë në pranga dy të rinj, banorë të qytetit të Patosit, të cilët akuzohen se kanë kanosur dy punonjës të policisë rrugore. Sipas burimeve zyrtare nga Komisariati i Policisë së Fierit, rreth orës 01:00 të mëngjesit të djeshëm janë arrestuar në kushtet e flagrancës shtetasit Ilir Muçaj dhe Ervin Prifti. Të dy të arrestuarit janë banorë të Patosit dhe akuzohen për veprat penale të "kanosjes dhe kundërshtimit të punonjësit të policisë", parashikuar nga nenet 2036 dhe 238 të Kodit Penal. Burimet zyrtare të policisë së Fierit bëjnë të ditur se Muçaj dhe Prifti kanë qenë duke udhëtuar nga Patosi në drejtim të Fierit. Në afërsi të vendit të quajtur Kthesa e Patosit, patrulla policore me nr.94-2 u ka bërë thirrje të ndalojnë. Por dy të rinjtë nuk kanë pranuar të tregojnë dokumentacionin që u kanë kërkuar policët. Muçaj e Prifti mësohet se kanë sharë me fjalë fyese dy policët e qarkullimit rrugor dhe janë larguar me makinën e tyre. Sikur të mos mjaftonte ky incident, Ilir Muçaj dhe Ervin Prifti janë rikthyer në të njëjtin vend disa minuta më vonë dhe sapo kanë dalluar dy policët Enver Plaka dhe Gëzim Qafoku kanë ndaluar mjetin dhe kanë nisur pa asnjë shkak t‘i shajnë dhe t‘i godasin me sende të forta ata. Dy policët kanë njoftuar Komisariatin e Fierit për ndihmë. Pas disa minutash, dy të rinjtë janë arrestuar ndërsa udhëtonin për në Patos. Mësohet se për të sqaruar çdo rrethanë të ngjarjes në fjalë kanë ndërhyrë edhe agjentët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›