Vjedhje në "shtëpinë" e Zotit
Vjedhësit në qytetin e Elbasanit nuk po kursejnë as "shtëpinë" e Zotit. Sipas burimeve zyrtare të policisë bëhet e ditur se në orët e vona të një nate më parë, persona ende të paidentifikuar kanë vjedhur me thyerje Kishën e Shën Thanasit, në lagjen "Haxhias" të qytetit të Elbasanit. Të njëjtat burime saktësojnë se vjedhja me thyerje është kryer rreth orës 21:00 dhe është konstatuar vetëm 15 minuta më vonë. Autorët anonimë të kësaj vjedhjeje, pasi kanë hapur derën kryesore të kishës duke përdorur sende të forta kanë shpërthyer arkën e kishës. Nga vëzhgimet e para të ekspertëve policorë dhe nga dëshmitë e priftit të kësaj kishe Atë Trebicka, hajdutët kanë marrë 74.000 lekë të reja. Vetë prifti ka pohuar se personat duhet ta kenë studiuar ditë më parë se ku mund të depozitoheshin parët e dhëna nga besimtarët e kësaj kishe. Ndërkohë, grupi hetimor nga këqyrja me kujdes e vendit të ngjarjes ka bërë të mundur gjetjen e një gjurme të vetme gishti të lënë nga njëri prej grabitësve. Gjithashtu, grupi hetimor ka marrë edhe disa objekte që ndodhen në kishë për ekspertime të mëtejshme duke menduar se në to mund të ketë shenja të tjera që mund të ndihmojnë në identifikimin e autorëve të vjedhjes.