E Diel, 1 Nëntor 2026

Gomonia e zhdukur, gjendet i gjallë një nga tre vlonjatët

Një nga vlonjatët e humbur prej pesë ditësh në det është gjetur i gjallë dje në afërsi të ishullit në Kroaci, ndërsa një tjetër është gjetur i pajetë. Romeo Pulizo, 34-vjeçari nga Vlora që kishte një eksperiencë prej 16 vjetësh në lundrimet me gomone ka mbërritur me frymë në breg, në një kohë kur shpresat për gjetjen e tij pothuajse ishin shuar.

Gjendja e Romeo Pulizos ka qenë e rënduar për shkak të ditë-netëve të kaluara në det të hapur dhe në luftë me dallgët, urinë dhe të ftohtët. Lajmi është bërë i ditur nga komandanti i Komandës së Forcave Detare me qendër në Durrës, kapiteni i rangut të parë, Kristaq Gërveni, i cili tha se salla operacionale e forcave kroate i njoftoi për gjetjen e Pulizos të gjallë pranë ishullit, ndërsa pritet që të përmirësohet gjendja e tij dhe të tregojë se çfarë ka ndodhur me gomonen dhe dy shokët e tjerë.

Ai është gjetur pak pas mesditës së djeshme pranë ishullit Mljet, që ndodhet në juglindje të arkipelagut të Adriatikut dhe i përket bregdetit dalmat kroat. Ishulli ndodhet në jug të gadishullit Peljeshac nga i cili ndahet përmes kanalit me të njëjtin emër, Mljet dhe i përket rajonit të Dubrovnikut.

Me t‘u gjetur, Romeo ka thënë emrin e vet, gjë që ka shkaktuar lehtësim tek autoritetet kroate të përfshira që nga dita e mërkurë në operacionin për kërkimin e gomones dhe ndërkohë e kanë përcjellë informacionin me shpejtësi te kolegët e tyre shqiptarë.

Sipas tyre, Romeo, pas gjetjes, nuk ka qenë në gjendje për të folur si pasojë e traumës së përjetuar dhe ai është dërguar në spitalin më të afërt kroat për ndërhyrje mjekësore. Ndërkohë që është pritur përmirësimi i tij për të marrë informacionin mbi atë që ka ndodhur me shokët dhe gomonen.

Prej orës 9 të ditës së martë kanë nisur kërkimet për gjetjen e tyre në ujërat shqiptare dhe ato malazeze. Tri anije të rojës bregdetare dhe një helikopter i forcave ajrore u përfshinë në operacionin e kërkim-shpëtimit. Duke u bazuar në sinjalin e marrë nga telefoni i 34-vjeçarit vlonjat, Romeo Pulizo, u përcaktua paraprakisht vendndodhja e përafërt e mjetit lundrues, diku mes kufirit shqiptaro-malazez dhe kërkimet nisën prej andej për t‘u zhvendosur më në veri, drejt Kroacisë.

Që në orët e para të mëngjesit të djeshëm, nisën sërish kërkimet në bashkëpunim me autoritetet e Malit të Zi, Kroacisë dhe Italisë për lokalizimin e gomones. Burime nga Kapitaneria e Portit të Durrësit thanë se në operacion po ndihmon edhe një avion italian i specializuar për kërkimet në distancë të largët. Tre banorët e Vlorës u deklarua se kishin dalë për peshkim të dielën më 18 janar, po mjeti i tyre nuk rezulton i regjistruar. Ka qenë gruaja e njërit prej tyre dhe pikërisht e Romeo Pulizos që u gjet në ishullin kroat, ajo që ka dhënë alarmin mesditën e së hënës në Kapitanerinë e Portit të Vlorës për moskthimin e burrit të saj. Ndërkohë, kontrollet në det janë intensifikuar pas gjetjes së njërit prej të humburve. Pak minuta më vonë, në afërsi të vendit ku u gjet i gjallë Romeoja, autoritetet kroate gjetën edhe një trup të pajetë, që deri dje në mbrëmje nuk është identifikuar. Sipas përshkrimeve, i mbyturi është njëri nga vëllezërit Golaj, që ndodheshin në të njëjtën gomone me Romeo Pulizon. Ndërkohë, autoritetet shqiptare, malazeze, kroate dhe italiane kanë vijuar operacionet e kërkimit deri në mbrëmjen vonë të së enjtes për gjetjen e personit të tretë që ndodhej në gomone.

Familjet

Gëzim te Pulizot, mort te Golajt

Në familjen Pulizo është rikthyer dje qetësia pas një ankthi që zgjati pesë ditë. Gratë që kanë mbetur në shtëpi nuk gjenin fjalë për të shprehur gëzimin që Romeoja arriti më në fund në tokë, me frymë. Nëna dhe gruaja e 34-vjeçarit kanë falënderuar për ndihmën e dhënë të gjithë ata që u angazhuan në këtë operacion. Ato nuk kanë komunikuar me Romeon, ndërsa drejt Kroacisë janë nisur dje disa të afërm të tij.

Një situatë krejt e ndryshme ka qenë në shtëpinë e Niko Golajt, njërit prej dy vëllezërve që ndodheshin në të njëjtën gomone me Romeon e mbijetuar. Me të marrë lajmin për gjetjen e një trupi në det, në familjen e dy vëllezërve është hapur vaji. Pavarësisht se nuk konfirmohej nëse njeriu i mbytur ishte njëri nga vëllezërit Niko dhe Sotir Golaj, të afërmit kanë hapur mortin.

Autoritetet kroate e kanë pasur të vështirë të identifikojnë kufomën dhe nuk kanë përjashtuar mundësinë që personi i mbytur të mos ketë lidhje me gomonen e tre vlonjatëve, por në shtëpinë e Golajve ka pak shpresa për ndonjë mrekulli. E vetmja gjë që i ngushëllon është fakti që të paktën njëri nga djemtë nuk është gjetur ende dhe ka ende shpresa që të jetë gjallë.

Pas përhapjes së lajmit për gjetjen e një kufome në ishullin Mljet të Kroacisë, dhjetëra njerëz, të afërm e miq i janë drejtuar shtëpisë së Niko Golajt në Vlorë. Familja ka zbritur prej një viti në qytetin e Vlorës, nga fshati Mallkeq i këtij rrethi.

Apeli

Flet vëllai i Niko dhe Spiro Golajt

"Mos i ndalni kërkimet,

na sillni të paktën trupat!"

Familja Golaj ka bërë apel dje që shteti të mos ndërpresë kërkimet për të mundësuar gjetjen e trupave dhe njëkohësisht të kryejë identifikimin sa më parë të trupit që është gjetur. Niko dhe Spiro Golaj, 38 dhe 45 vjeç ndodheshin në të njëjtën gomone me Romeo Pulizon. Vëllai i tyre, Njazi Golaj, thotë se dy vëllezërit e tij kishin jetuar prej kohësh në emigracion dhe dilnin për peshk shpesh, pasi nuk ishin mirë nga gjendja ekonomike. Njaziu tregon se kanë qenë në kontakt me gomonen dhe ka folur me vëllain e tij të vogël dhe me Romeon dhe ata i kishin deklaruar se situata në gomone ishte përkeqësuar. "Sipas tyre,- tha Njaziu,- kishte shumë det dhe vetëm helikopteri mund t‘i gjente". Njazi Golaj u bën thirrje autoriteteve shtetërore që të vijojë kërkimet për gjetjen e vëllait tjetër, qoftë edhe të vdekur. "Ne duam të na sjellin trupat e vëllezërve, që të paktën nëna e tyre t‘i qajë sipas zakonit. Shteti nuk bëri sa duhej, pasi kishte katër ditë kohë për gjetjen e gomones dhe nuk mundi. Ata janë prindër, kanë fëmijët që i presin. Ne tani duam vetëm trupat e vëllezërve tanë", tha Njaziu.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›