E Diel, 1 Nëntor 2026

Vëzhguesit vendorë: KQZ, me anëtarë nga shoqëria civile

Në kuadër të reformës zgjedhore, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë 2011 ka paraqitur dje propozimet e tij lidhur me sistemin zgjedhor, përbërjen e komisioneve zgjedhore, teknologjinë e votimit nëpërmjet lapsit elektronik, si edhe aspekte të tjera të procesit. Për sa i përket ndryshimit të sistemit zgjedhor, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë propozon kalimin në sistem proporcional kombëtar me lista të hapura. Sipas tyre, me sistemin aktual partitë e vogla mbeten në hije dhe janë të detyruara që t’iu bashkëngjiten partive të mëdha për koalicion. Ndërkohë, Koalicioni propozon që administrata zgjedhore të ketë në përbërje të saj persona jashtë spektrit politik, nga shoqëria civile. Në rekomandimet e tij, Koalicioni thekson se, për sa i përket KQZ-së, mund të rishikohet formula aktuale, ku veç të tjerash në përbërje të KQZ-së duhet të ketë edhe përfaqësues nga shoqëria civile. Gjithashtu, ai sugjeron që KZAZ duhet të ketë të përcaktuara qartë kompetencat e saj për sa lidhet me situatën në Vendet e Numërimit të Votave. Duke qenë se listat e zgjedhësve kanë qenë gjithmonë një pikë e shumëdiskutuar nga forcat politike në vend, Koalicioni propozon identifikimin e zgjedhësve nëpërmjet makinave lexuese të çipit elektronik që ndodhet në kartat e identitetit apo në pasaportat biometrike. Gjithashtu, Koalicioni propozon futjen e Kodit të Etikës dhe Sjelljes së Mirë për partitë politike dhe kandidatët e tyre në Kodin Zgjedhor. Koalicioni propozon futjen e teknologjisë së lapsit elektronik, me të cilin mund të bëhet e mundur dhënia e rezultatit paraprak menjëherë pas mbylljes së qendrës së votimit. Së fundmi në propozimet e Koalicionit është edhe pjesëmarrja e grave në listat e kandidatëve, madje ata propozojnë që të përcaktohet në Kod që, në listat fituese të zgjedhjeve parlamentare të ketë së paku 30% gra.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›