Suedia, Kuzhe thërret Haxhin, FSHF-ja Bakajn
Leonard Karaj
Trajneri i Kombëtares Josip Kuzhe ka grumbulluar 34-vjeçarin Altin Haxhi për ndeshjen e fundit në grup ndaj Suedisë më datë 14 tetor. Gjirokastriti është surpriza e vetme përsa i përket prurjeve, ndërsa mbetet ende i çuditshëm fakti se Kuzhe vazhdon të thërrasë Ervin Skelën, ndonëse futbollisti është pa skuadër që prej fund-majit të këtij viti. Ndërkaq një “vendim” i orës së fundit solli në kombëtare edhe lojtarin e Dinamos dhe aktualisht më të mirin në Superligë, Elis Bakajn. Dinamoviti nuk ishte në listën prej 20 futbollistësh të prezantuar po nga federata shqiptare, por me “bekimin” e trajnerit Kuzhe. Vetëm në orët e vona të mbrëmjes zyrtarët e FSHF-së optuan edhe për Bakajn kuqezi, duke iu ruajtur në një farë mënyre edhe kritikave të mediave dhe analistëve sportivë. Nuk dihet nëse për të ka dhënë konfirmimin edhe Kuzhe, i cili pati kërkuar vetëm 20 lojtarë për takimin e fundit për kualifikimet e botërorit 2010 ndaj Suedisë. Porta i është besuar dyshes Ujkani-Hidi, ku i pari me shumë gjasa do të jetë titullar nisur edhe nga performanca jo vetëm me fanellën e Novarës, por edhe në ndeshjet e fundit në kombëtare. Mbrojtja do të përbëhet nga të përhershmit, Curri, Dallku, Beqiri, Cana, të ndihmuar dhe nga dy të rinjtë Veliu dhe Lila. Mesfusha çahet në mes ku gjysma e të grumbulluarve janë titullarë në ekipet e tyre dhe gjysma tjetër janë aktivizuar me pikatore. Përveç Bakajt, Likës, Bulkut dhe Sefës, të gjithë të tjerët janë aktivizuar si zëvendësues me ekipet e tyre. Në stol për disa takime ka qenë edhe Klodian Duro, titullar i padiskutueshëm në kombëtare. Ndërsa nuk luan një ndeshje me një klub që prej 5 muajsh Ervin Skela, i mbetur pa ekip për të paktën deri në fund të këtij viti. Lojtarët më produktivë të mesfushës kuqezi janë Gilman Lika dhe Elis Bakaj, që të dy veç aktivizimeve të rregullta kanë shënuar edhe gola.
Nuk ndryshon sulmi. Janë po ata që u thirrën edhe në ndeshjen ndaj Danimarkës, ndonëse me shumë mundësi mund të luajnë vetëm Salihi dhe Bogdani. Që të dy këtë lojtarë kanë treguar një formë të shkëlqyer sportive me ekipet e tyre, ndërsa e kundërta mund të thuhet për Berishën dhe Kapllanin. I pari është aktivizuar pak, kurse Kapllani akoma më pak. Kavajasi po kalon një krizë të thellë jo vetëm goli, por tashmë edhe aktivizimi, ndonëse ndryshoi këtë verë skuadër, nga Karlsruher tek Augsburgu.