E Shtunë, 31 Tetor 2026

TIA kërkon ndryshimin e Kushtetutës për heqjen e imunitetit



Eljona Ballhysa
Transparency International Albania ka kërkuar dje, nëpërmjet një deklarate për mediat, ndryshimin e Kushtetutës së Shqipërisë në mënyrë që të shfuqizohet imuniteti për deputetët, gjyqtarët e të gjithë zyrtarët e lartë. Kjo kërkesë e TIA-s vjen në një moment kur janë shtuar së tepërmi akuzat për korrupsion të ministrave të kabinetit qeveritar. Në këtë mënyrë, TIA kërkon heqjen e dispozitës kushtetuese që vesh me imunitet deputetët e ministrat, në mënyrë që t’i hapet rruga hetimit të tyre. Duke iu referuar situatës politike në vend, TIA bën thirrje për hetimin e të gjithë personave të akuzuar për korrupsion.
Imuniteti
Për heqjen e imunitetit TIA hedh idenë e organizimit të një seance të posaçme parlamentare nga Kuvendi i Shqipërisë. Këtë kërkesë, pra për shfuqizimin sa më parë të imunitetit kushtetues, TIA ia ka paraqitur dje edhe Presidentit të Republikës, Këshillit të Ministrave, Kuvendit, Prokurorisë, KLSH-së, SHISH-it dhe gjykatave. “Organizimi i një seance të jashtëzakonshme parlamentare për ndryshimin e Kushtetutës në lidhje me heqjen e imunitetit si privilegj për deputetët, ministrat, gjyqtarët dhe çdo drejtues institucioni, me qëllim hapjen e rrugës së hetimit për çdo vepër penale të kryer prej tyre. Vetëm angazhimi retorik dhe deklarativ mbi imunitetin është i pamjaftueshëm dhe joligjor për të thyer barrierat e imunitetit dhe për të hetuar pa vonesë e pengesë çdo zyrtar të implikuar”, - bëhet e ditur në deklaratën për shtyp të Transparency International Albania.
Ndryshe nga Partia Demokratike që hodhi idenë e heqjes së imunitetit të deputetëve duke nënshkruar një deklaratë vullnetare dhe duke ndryshuar Rregulloren e Kuvendit, TIA kërkon ndryshime kushtetuese për këtë çështje. Ndërsa përsa i përket situatës më të fundit politike në vend, TIA bën apel që të garantohet dhënia e barazisë para ligjit për të gjithë. Sipas TIA-s, prokuroria duhet të kryejë hetim të shpejtë e të pavarur rreth çdo personi me imunitet që akuzohet për vepra të ndryshme penale. Madje TIA shprehet se duhet rishikuar dhe ligji “Për bashkëpunimin e publikut në luftën kundër korrupsionit”, pasi sipas organizatës, ligji ka dështuar pjesërisht dhe se nuk ka asnjë eficiencë dhe raste të suksesshme në zbatimin e tij.
Kriza
Më tej, gjatë deklaratës për shtyp, TIA kërkoi që në vend të gjendet zgjidhja për t’i dhënë fund krizës së tejzgjatur politike në vend dhe realizimit pa humbur kohë të 12 rekomandimeve të Komisionit Europian. “Një pjesë e rekomandimeve të KE-së lidhen direkt në mënyrë të drejtpërdrejtë me nevojën për dialog konstruktiv mes palëve dhe me ndërmarrjen e hapave të shpejtë për modifikimin e Kodit Zgjedhor në linjë me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet, funksionim normal të disa institucioneve, nevojën e Gjyqësorit të pavarur dhe efikas për heqjen e pengesave për imunitet në veçanti për gjyqtarë, ministra, deputetë”, - shkruhet në deklaratë. TIA apelon dhe për financimin e partive duke kërkuar që t’i jepet fund financimeve informale të partive. “TIA vlerëson kalimin për shqyrtim në komisionet parlamentare të projektligjit për financimin e transparencën e partive politike, me qëllim reduktimin e korrupsionit politik gjatë fushatave elektorale dhe eliminimin e funksionimit informal të këtyre partive”, - përfundon deklarata e TIA-s.

Oferta e PD-së: Imuniteti të hiqet me deklaratë personale

Kryeministri i vendit, Sali Berisha, në kulmin e debatit politik për korrupsionin qeveritar, rinxori pak ditë më parë tezën e heqjes së imunitetit të deputetëve për rastet e korrupsionit. Kryeministri u ka kërkuar deputetëve demokratë që të hartojnë një deklaratë, të cilën duhet ta firmosin të gjithë, për lënien në mënyrë vullnetare të imunitetit të deputetit. Madje Berisha tha se për këtë duhet parë mundësia e ndryshimit të Rregullores së Kuvendit. “Ka një problem serioz që e kërkon Komisioni Europian dhe unë e konsideroj shumë të drejtë dhe kjo maxhorancë e ka konsideruar gjithmonë shumë të drejtë çështjen e imunitetit. Zoti kryetar i Grupit Parlamentar, bashkë me Komisionin e Ligjeve do të përgatisni deklaratën tip që ne ta firmosim. Secili prej nesh, duke filluar nga unë, të gjithë anëtarët e kësaj maxhorance, ta depozitojnë në Parlament, të bëjmë ndërhyrjet e nevojshme në Rregulloren Parlamentit nëse është e duhur”, - është shprehur kryeministri Berisha. Ai tha se kjo nismë është zbatuar edhe në Republikën Federale të Gjermanisë. “Të adaptojmë një standard, të cilin e praktikon vendi më i madh i Bashkimit Europian, Republika Federale Gjermane, prej shumë e shumë vitesh, për shkakun e vetëm, që nuk kanë bërë ndërhyrje në Kushtetutë, por të përdorin këtë praktikë. Le ta marrim ne këtë shembull, t’i rikthemi atij dhe të garantojmë se nuk do të ketë asnjë lloj imuniteti për problemin e korrupsionit dhe krimit të zakonshëm, për çështjet e tjera, është procedurë tjetër”, - është shprehur Berisha pak ditë më parë. Ai e ftoi opozitën të tregojë vullnet për këtë çështje, ndërsa theksoi se në rast se opozita paraqet kërkesë për ndryshime në Kushtetutë, maxhoranca është e gatshme t’i votojë këto ndryshime.

Berisha: “Zgjedhjet vendore dhe turizmi, prioritet i 2011-s”

Gjatë fjalës së mbajtur dje në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha i ka cilësuar zgjedhjet vendore dhe turizmin si prioritetet e vitit 2011. Ai tha se duhet të nisë përgatitja për sezonin turistik, kjo për faktin se qeverisja vendore do të jetë më shumë e përqendruar te fushata. “Dy janë zhvillimet më kapitale të këtij viti, zgjedhjet vendore, dhe përpjekjet tona do të jenë totale për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Zgjedhjet lokale, në përgatitjet për sezonin turistik, komplikojnë në një masë të caktuar përgatitjen për sezonin turistik, pasi është e pashmangshme që përqendrimi më madhor i të gjitha qeverive vendore, po e vërteta është edhe e drejtuesve qendrorë të partive politike, të jetë te fushata më shumë se te çdo gjë tjetër. Është e domosdoshme që një komitet ndërministror i drejtuar direkt nga kryeministri të funksionojë duke filluar nga kjo javë, në të cilën, zotërinj ministra, do të ndajë secili prej jush përgjegjësi të plotë në një zonë turistike në vend”, - tha kryeministri Berisha. Më tej kryeministri tha se përparësi do t’i jepet ndërtimit të infrastrukturës drejt parqeve turistike, duke vënë theksin në mënyrë të veçantë te turizmi malor. Ai foli gjithashtu edhe për dhunën në familje, duke shprehur gatishmërinë e qeverisë së tij në luftën ndaj këtij fenomeni. “Është e domosdoshme që të rishqyrtojmë në tërësi dhe të luftojmë me vendosmëri çdo praktikë diskriminuese. Familja, kështjella ime dhe brenda kështjellës mund të bëj ç’të dua. Kurrë”, - u shpreh Berisha.

Haxhinasto takon përfaqësuesen e OKB-së, konfirmohet bashkëpunimi

Zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, zhvilloi dje një takim me përfaqësuesen e OKB-së në Tiranë, znj. Touimi - Benjelloun. Në fillim të takimit z. Haxhinasto shprehu vlerësimin për ecurinë e programeve të OKB-së në vendin tonë dhe rikonfirmoi gatishmërinë e qeverisë shqiptare dhe të Ministrisë së Punëve të Jashtme për të konsoliduar dhe vazhduar më tej bashkëpunimin me sistemin e agjencive dhe fondeve të Kombeve të Bashkuara për të zbatuar me sukses programet për zhvillim. Ai falënderoi UNDP-në për mbështetjen që i ka dhënë integrimit europian të vendit në të gjitha programet për zhvillim në Shqipëri. Benjelloun, nga ana e saj, vuri në dukje se UNDP-ja po përpunon dokumentin e direktivave strategjike të bashkëpunimit me qeverinë shqiptare, e cila, pasi të nënshkruhet në tetor 2011, do të fillojë zbatimin më 1 janar 2012. Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan punën e qeverisë shqiptare në drejtim të arritjes së Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit dhe në zbatim të programit “Një OKB”.

Kryeministri merr pjesë në 20-vjetorin e krijimit të PD-së së Beratit

“Partia Demokratike u krijua 20 vjet më parë si parti e vlerave të vërteta të qytetërimit perëndimor, si parti e interesit kombëtar dhe lirive në totalin e tyre”. Kështu u shpreh dje kryeministri Berisha, gjatë një fjalimi special të mbajtur me rastin e krijimit të degës së Partisë Demokratike në Berat. “20 vjet më parë themeluam forcën politike që do të shndërrohej në lokomotivën e pandalshme të lirisë. Atëherë kur lirinë dhe të drejtat e njeriut nuk i njihnim, por ishin aspirata në shpirtin tonë. 20 vjet më parë ne ishim kombi i vetëm në Europë, kur gjysma e të cilit pësonte shtypje barbare dhe gjysma tjetër, varfëri ekstreme dhe mjerimin më të madh”, - tha ai. Duke shtuar se “kishim në shpirt guximin dhe vendosmërinë për të ndërtuar një Shqipëri të denjë për të gjithë. Prandaj duhet të ndihemi mirënjohës dhe krenarë më shumë se kurrë me njëri-tjetrin”, - shtoi Berisha.
Ai iu referua situatës së sotme duke e krahasuar me 20 vjet më parë. “Sot ne lëvizim të lirë dhe pa viza në tërë Europën. 20 vjet më parë ne ishim qytetarët më të izoluar të Europës, ndërsa sot plotësuam ëndrrën atlantiste, Shqipëria në NATO”, - theksoi më pas kreu i Partisë Demokratike. “Ashtu siç u themelua, Partia Demokratike mbeti parti e vokacionit perëndimor dhe mbetemi ende në këtë objektiv”, - tha Berisha, i cili nuk hoqi dorë nga akuzat ndaj kryetarit të PS-së, Rama, të cilin e akuzoi për montimin e videos.

20 Janar 2011

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›