E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Politika të bashkëpunojë për zgjedhjet e 8 majit

TIRANË- Në pritjen e vitit të ri me trupin diplomatik, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, shpresoi për një frymë të re komunikimi mes forcave kryesore politike në vend, me qëllim që të mundësohet një administrim i ndershëm dhe i paanshëm i zgjedhjeve të 8 majit. Në fjalimin e mbajtur gjatë kësaj pritje, Presidenti i Republikës, tha se është e rëndësishme që politika të zhvillohet në një mjedis ku standardet demokratike të jenë kryefjalë e çdo lloj komunikimi. “Përgjatë gjithë vitit që sapo lamë pas, na ka shoqëruar një keqardhje jo e vogël, përsa i përket klimës politike në Shqipëri. Mungesa e dialogut, debati politik i tensionuar, mosmiratimi i disa ligjeve të rëndësishme, për shkak të mosgjetjes së konsensusit, të gjitha këto kanë sjellë jo pak vështirësi në jetën institucionale të vendit. Është e rëndësishme që politika të zhvillohet në një mjedis ku standardet demokratike të jenë kryefjalë e çdo lloj komunikimi, që ndjeshmëria për problemet jetike, me të cilat përballet shoqëria shqiptare, të jenë temat kryesore të debatit dhe rrugët e zgjidhjeve dhe alternativat politike të dominojnë interesin publik. Politika institucionale e ka detyrim parësor të kthejë sa më shpejt dimensionet demokratike në komunikim dhe vendimmarrje”, - tha dje Topi. Presidenti i Republikës theksoi se mungesa e bashkëpunimit korrekt institucional midis qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor, ka sjellë në disa raste një pamjaftueshmëri të dukshme në realizimin e projekteve të përbashkëta, ku më i dëmtuari rezulton interesi qytetar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›