E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Rama nuk është i aftë të fitojë më votë

TIRANË- Lëvizja Socialiste për Integrim i ka cilësuar të papërgjegjshme dhe provokative deklaratat e kryetarit të opozitës, Edi Rama, për demonstratën e sotme. “Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka kohë për të humbur me halucinacionet e Edi Ramës, i cili meqë nuk është i zoti dhe i aftë të fitojë me votë, synon marrjen e pushtetit me dhunë”, - tha dje Sekretari i Marrëdhënieve me Publikun, Ardit Çela. Ai shtoi se, LSI-ja pret nga opozita shqiptare kontribute pozitive për reformën zgjedhore. “Pret njëkohësisht një angazhim real në jetën parlamentare, në mënyrë të tillë që demokracia të jetë funksionale, në përputhje të plotë me rekomandimet e Këshillit të Europës dhe Parlamentit Europian, në mënyrë që parlamenti të mos jetë arena e shfaqjes së rrugaçërisë dhe papërgjegjshmërisë politike”,- shtoi ai. Po dje, përmes një njoftimi për shtyp, LSI-ja ka përshëndetur edhe deklaratën e Ambasadës Amerikane në Tiranë për demonstratën e sotme. “LSI përshëndet deklaratën e Ambasadës Amerikane, duke vlerësuar atë si një qëndrim të qartë, në mbështetje të Shqipërisë, si një vend me standarde plotësisht demokratike, tashmë anëtare e NATO dhe qytetarët e të cilës lëvizin lirshëm nëpër Europë. Ambasada Amerikane në Shqipëri shprehet qartë se ajo dënon gjuhën e përdorur në mbështetje të akteve çrregulluese e të dëmshme”, - thuhet në njoftimin për shtyp të LSI-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›