E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ankandet shtetërore, rritet pagesa për subjektet që bëjnë ankesa



Ervin KOÇI

Tani të bësh ankesë për një ankand publik nuk ia vlen më. Pagesa e cila bëhet nga subjekti që paraqet një ankesë pranë Komisionit të Prokurimit Publik (KKP), është dyfishuar në një kohë që ajo u rikthehet subjekteve vetëm nëse konfirmohet që ata kishin të drejtë. Qeveria me anë të një vendimi të posaçëm të marrë dje nga Këshilli i Ministrave në mbështetje të nenit 42, pika 9, të ligjit nr.9874, datë 14.2.2008, “Për ankandin publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, vendosi pikërisht rritjen e tarifës së ankesës. Kështu sipas VKM-së së djeshme, tarifa e ankesës për rastet në ankandet publike do të jetë sa 0.5 për qind e vlerës së fondit që aplikohet për një prokurim publik. Në lidhje me prokurimet e ndryshme publike, çdo vit me dhjetëra subjekte private që marrin pjesë në to paraqesin ankesa për moskryerjen në mënyrë korrekte të këtyre procedurave ose zhvillimeve të ankandeve. Gjatë vitit të kaluar, sipas Avokatit të Prokurimeve, ka pasur 526 ankesa nga subjektet private për tenderët e zhvilluar.

Ankesat
Ankesa e paraqitur në rrugë elektronike, pranë Komisionit të Prokurimit Publik (KKP), nga çdo person që ka ose ka pasur një interes të ligjshëm në një procedurë ankandi, në përputhje me kërkesat e përcaktuara në ligjin nr. 9874, datë 14.2.2008, “Për ankandin publik”, të ndryshuar, duhet të përmbajë dokumentin bankar që vërteton pagesën paraprake të tarifës përkatëse. Përjashtimisht, kur legjislacioni në fuqi parashikon një mjet tjetër komunikimi, ankesa e paraqitur pranë Komisionit shoqërohet me dokumentin bankar, që vërteton pagesën paraprake të tarifës përkatëse, në numrin e llogarisë së KPP-së.

Tarifat
Tarifa për shqyrtimin e ankesës nga KPP-ja është sa 0.5% e vlerës së fondit limit të procedurave të ankandit që ankimohet. Parapagimi i tarifës nga ankuesi përbën element të domosdoshëm për paraqitjen e ankesës, ndërsa moskryerja e saj përbën shkak për mospranimin e ankesës nga KKP-ja. Pagesa e tarifës i kthehet ankimuesit kur, në fund të procesit të ankimit, ankesa e tij pranohet. Kur ankesa nuk pranohet, të ardhurat e arkëtuara nga tarifa e ankimimit derdhen 100 për qind në buxhetin e shtetit. Qeveria ngarkon Ministrinë e Financave dhe Komisionin e Prokurimit Publik për zbatimin e këtij vendimi.

Shkurt///////////////////////////////
Guvernatori Fullani pret delegacionin e Bankës Kombëtare Greke

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani ka pritur një delegacion të nivelit të lartë nga Banka Kombëtare e Greqisë. Fullani i ka njohur përfaqësuesit e Bankës së Greqisë me zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në Shqipëri, duke vënë një theks të veçantë tek ecuria e bankave greke në vendin tonë. Pas takimit me delegacionin grek, Fullani ka zhvilluar një takim edhe me drejtuesit e bankave greke në Shqipëri, ku ka përsëritur apelin për të rritur kreditimin e ekonomisë, por pa ulur kujdesin ndaj cilësisë së kredisë, si dhe transparencës me klientin në drejtim të kostove.

Pullat e reja fiskale, debat për firmën koncesionare

Pulla të reja fiskale, me disa elementë sigurie dhe të dhënash mbi produktin, do të përdoren në Shqipëri. Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave ka miratuar marrëveshjen koncesionare që fuqizon një marrëveshje 10 vjeçare për prodhimin e pullave. Kjo marrëveshje mundëson dhe prodhimin e pullave të kontrollit të barnave. Marrëveshja parashikon vlerë fillestare investimi prej 10 milionë euro. Pulla fiskale do të ketë dhe për birrën. Debate në Komision pati për procedurat e përzgjedhjes së kompanisë koncesionare. Të dhënat do të jepen para se marrëveshja të kalojë për votim në Kuvend.

Buxhuku: Kasat, vendosja e tyre, tejet e ngadaltë

Procesi i vendosjes sa kasave për bizneset vazhdon që të jetë i ngadaltë. Administratori i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, deklaroi se deri tani kanë kaluar mbi dy javë nga afati i vendosur për pajisjen me kasa fiskale, por vetëm 40% e bizneseve janë pajisur me to. Problematik përcaktohet të jenë sidomos bizneset e vogla dhe kryesisht ato që ndodhen në periferi. Sipas Buxhukut, tashmë është shtuar numri i bizneseve që duhet të pajisen me kasa fiskale duke qenë se është vendosur kufiri deri në 2 milion lekë xhiro në vit. Qeveria vendosi rimbursimin e tyre nga taksat vendore duke përcaktuar një fond të veçantë.

AIE: Çmimi i naftës do arrijë 100 USD për fuçi

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (AIE) ka theksuar se çmimi i naftës pritet të shkojë 100 dollarë për fuçi. Duke paralajmëruar edhe një krizë në tregjet e prodhimit dhe konsumit agjencia thekson gjithashtu se pesha në GDP-në botërore e nivelit të parashikuar të çmimit do të ketë një ndikim në masën 5%. “Rritja e çmimit nuk ka lidhje me ndryshimin e temperaturave gjatë 2010-s, sesa me kërkesën e lartë për karburant me rreth 3,2%, ose 2,7 milionë fuçi”, - theksoi AIE, duke shtuar se për 2011-n, kërkesa pritet të rritet me 1,4 milionë fuçi.

Slloveni: Paga bruto shkon në 1.634 euro

Paga mesatare bruto në Slloveni gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar ka arritur në 1.634 euro, një rritje prej 9.9% më shumë se muaji tetor. Rritja e rrogës është si pasojë e pagesave të jashtëzakonshme të rrogës së 13-të dhe shtesave të tjera për festat e fundvitit. Rroga mujore mesatare gjatë muajit nëntor ka qenë 1.041 euro. Enti Shtetëror i Statistikave bëri të ditur se edhe po të mos ishin paguar mjetet shtesë, rroga bruto gjithsesi do të ishte 1.507 euro. Sllovenia është një ndër vendet më të zhvilluara të Europës Juglindore që po ecën në rrugën e zhvillimit ekonomik, pas krizës ekonomike.

Europa rrezikon sërish një recesionin ekonomik

Europa mund të goditet nga një recesion i dyfishtë gjatë këtij viti, bëhet e ditur në një studim të OKB-së, të publikuar dje. Europa gjithmonë e më shumë po përballet me thellimin e dallimit mes ekonomisë gjermane dhe atyre të vendeve të zhytura në borxhe si Greqia, Irlanda, Portugalia dhe Spanja, raporton REL. Konferenca e OKB-së për Tregti dhe Zhvillim bën thirrje për një ndryshim urgjent të politikave. Të njëjtat burime theksojnë se në ekonominë globale shikohen disa pika të ndritshme në Kinë e Indi, por dhe këto ekonomi po e humbasin shkëlqimin.

20 Janar 2011

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›