Lenini dhe Stalini rehabilitohen në GKA
Galeria Kombëtare e Arteve ka nisur një tjetër projekt “pilot” për restaurimin e tyre dhe ngritjen e një mjedisi muzeal prapa galerisë për ekspozimin e skulpturave të realizmit socialist
Konceptimi i një linje të re muzeale në Galerinë Kombëtare të Arteve, që do të sjellë një audiencë sidomos të huaj, të cilët janë ende kuriozë të shuajnë kuriozitetin e tyre për Shqipërinë e para ’90-ës, është pjesë e një projekti që synon të rehabilitojë statujat e së kaluarës komuniste. Tashmë statuja e Leninit, Stalinit në pjesën e pasme të GKA-së, kanë po aq interes nga vizitorët e huaj sa dhe ekspozitat brenda Galerisë Kombëtare. Ato janë bërë pjesë e turit të shumë turistëve të huaj në kryeqytet. Në pjesën e pasme të GKA-së nuk janë vetëm këto statuja të “baballarëve të kombit”, por dhe shumë të tjera që i përkasin artit të realizimit socialist. Statujat e diktatorëve janë bërë shpesh objekt debatesh se çfarë duhet bërë me to. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në fillim të këtij viti publikoi një projekt për “rehabilitimin” e tyre në Surrel të Dajtit, ku është menduar të ngrihet edhe muzeu i komunizmit. Por ndërkohë GKA-ja ka një tjetër projekt “pilot” për këto statuja, nisur dhe nga interesimi që tregojnë sidomos të huajt për të shkelur edhe në pjesën e pasme të Galerisë, ku ndodhen statuja e Leninit, Stalinit, por edhe Luftëtari i Lirisë, Partizani, apo statuja e Njeriut socialist. Si pjesë e historisë sonë, këto statuja do të restaurohen për t’u kthyer në vepra muzeale. Në fakt, statujat e diktatorëve janë të dëmtuara, ndërsa statujat “anonime” të Njeriut socialist apo Partizanit janë në gjendje shumë më të mirë. Të gjitha këto janë pjesë e një projekti që ka nisur në Galerinë Kombëtare të Arteve për ristrukturimin e mjediseve të saj. Punimet kanë filluar në mjediset e brendshme të galerisë dhe do të zgjerohen edhe jashtë saj, konkretisht në pjesën e pasme, ku prej vitesh qëndrojnë në qiell të hapur skulpturat e Leninit dhe Stalinit. Sipas këtij projekti, skulpturat do të jenë më të mbrojtura nga kushtet atmosferike, duke minimizuar dëmtimin e tyre. Pjesa e pasme e GKA-së do t’i nënshtrohet një rikonceptimi dhe këto vepra do të gjejnë më në fund prehje aty. Disa prej tyre do t’i nënshtrohen edhe restaurimit. Monumenti i Leninit, që është një vepër e skulptores së parë shqiptare Kristina Koljaka, ka dëmtime të rënda dhe i mungon një krah, ndërsa busti i Stalinit është në gjendje më të mirë. Statuja e Stalinit është vepër e një skulptori të rëndësishëm rus, në Bashkimin Sovjetik, Nikolai Tomski, fitues i disa çmimeve kombëtare, që rusët ia bënë “dhuratë” vendit të vogël mik komunist, Shqipërisë. Ajo iu dhurua shqiptarëve në vitin 1954 dhe u vendos me nderime madhështore, atje ku sot është monumenti i “Skënderbeut”, për t’u hequr që aty në vitin 1968, kur marrëdhëniet tona me Rusinë u prishën. Nga aty ai u zhvendos në Galerinë Kombëtar të Arteve, ku është edhe sot e kësaj dite. Asnjëra prej tyre nuk i është nënshtruar restaurimit, por tashmë që po mendohet të risillet në kujtesën e shqiptarëve copëza të së kaluarës, ato do të gjejnë vend si objekte me vlera muzeale. Të dyja statujat, që peshojnë jo pak por 7 tonë bronz, kanë tërhequr shpesh vëmendjen e njerëzve, vizitorëve por dhe mediave. Për t’i shpëtuar shkatërrimit siç dhe shumë statuja të tjera të realizimit socialist që ishin shpërndarë thuajse në gjithë territorin e Shqipërisë, ato u bën pjesë e fondit të Galerisë Kombëtare si vlera të rëndësishme historike, dokumentuese dhe artistike për kohën kur janë realizuar. Përkohësisht ato do të bëhen pjesë e guidës së vizitorëve të Galerisë Kombëtare të Arteve, për t’u dërguar në të ardhmen në muzeun e komunizmit, një projekt që është ideuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Dy “idhujt” e epokës komuniste do të jenë pjesë e GKA-së, e cila synon që t’i kthejë ato në objekte me vlera muzeale, duke i konsideruar si një pasqyrë të artit të realizimit socialist, por dhe si një rrëfim historiko-politik i asaj epoke.