E Shtunë, 31 Tetor 2026

TK, 3 premiera gjatë sezonit janar-korrik 2011

Sipas njoftimit për shtyp, premiera e parë e këtij viti do të jetë drama “Amadeus” nga Peter Shafer, me regji të Altin Badhës. Puna për këtë shfaqje do të fillojë në janar, ndërkohe që premiera do të shfaqet në 24 shkurt.
Premiera e dytë e TK është drama e Artur Miller “Shtrigat e Salemit”, regjinë e së cilës do ta realizojë Spiro Duni. Shfaqja do të përgatitet gjatë muajve mars-prill dhe do të jepet në prill.

Premiera e tretë e sezonit janar-korrik 2011 do të jetë një bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës për shfaqjen “Romeo dhe Zhulieta” të Shekspirit, me regji të italianit Karlo Bruni. Premiera e shfaqjes do të jetë në maj të këtij viti.

“Amadeus”, “Shtrigat e Salemit” dhe “Romeo dhe Zhulieta” janë shfaqje të cilat janë shpallur fituese nga bordi artistik i Teatrit Kombëtar. Sipas njoftimit për shtyp, një nga objektivat e TK-së për këtë vit është sjellja në Tiranë e një regjisori të njohur nga Anglia, në bashkëpunim me Këshillin Britanik, për të vënë në skenë një tjetër kryevepër të Shekspirit.

Për realizimin e këtij projekti Teatri Kombëtar ka kontaktuar me Këshillin Britanik si dhe me regjisorin prej mëse një viti, në mënyrë që ai të programojë ardhjen në Shqipëri. Kjo premierë parashikohet të vihet në skenë në sezonin e dytë të vitit 2011.

Sezoni i artistik i TK-së për këtë vit do të fillojë në datën 14 janar me shfaqjen “Një tablo absurde” e regjisorit Milto Kutali, që u shfaq premierë në 11 dhjetor 2010. Ndërsa në sallën e re gjatë muajit janar do të vihen në skenë shfaqjet e artistëve fitues të edicionit të VI-të të Festivalit të të Rinjve 2010.

                                                                                             2011-01-06 15:30
  [ 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›