TRE PRECEDENTË NË SHQIPËRI...
Nga Bedri Çoku
Pyetjes pse janë kaq të papërmbajtur për pushtet pinjojtë e diktaturës komuniste dhe pse e kërkojnë atë vetëm nëpërmjet rrugëve të përçollura me gjak e vdekje, çdo shqiptar që nuk ka pasur lidhje me interesat e të kaluarës komuniste e nuk ka as sot, i përgjigjet thjesht e qartë kësaj pyetje. Jo se nuk është thënë e stërthënë kjo e vërtetë e madhe në Shqipëri nga politikanë, analistë dhe opinionistë të së djathtës, për më tepër nga të burgosurit politikë, të cilët e kanë shpallur qyshkur këtë fatkeqësi për demokracinë dhe popullin shqiptar në këto vitet e pluralizmit, por e keqja është se pse asnjëherë ky fakt shumë i rëndësishëm e jetik për të ardhmen e shoqërisë e të vendit tonë nuk është bërë problem kombëtar, me tamtame e mitingje nëpër sheshet e Shqipërisë, me këngët e llojit alla Gjinushi, kur dirigjonte kriminelët dhe hajdutët komunistë në Sheshin e Flamurit në Vlorë, për të rrëzuar qeverinë demokratike: “O djem rrëmbeni pushkët, ja vdekje, ja liri!” Siç ndodhi me rastin e famshëm të “piramidave” më 1997-n apo me “Gërdecin” e para një viti. Ngjarje, të cilat shkaktuan viktima dhe dëme kolosale për popullin e thjeshtë që përpiqet ta ndërtojë jetën e vet me kursimet e djersës së ballit... Ngjarje, të cilat kanë pasur protagonistë kryesorë, pa dyshim, ish-sigurimsat e Shtetit të diktaturës komuniste ose njerëz të lidhur me një mijë fije me të majtën shqiptare (kupto, Partinë e Punës së Shqipërisë)... dhe njerëz që bëjnë ushtarin për ta mbrojtur e forcuar këto fatkeqësi. Dhe, gjithmonë, faji u është faturuar forcave demokratike të shpallura armike për të ardhmen e pinjojve komunistë... edhe pse të gjithë ata që i ndërtuan dhe i drejtuan “piramidat” ishin sigurimsa apo ish-komunistë, këtë “bombë me sahat” ata u projektuan dhe e sajuan me aq mjeshtëri, me ndihmën edhe të të huajve, pikërisht për të krijuar një ditë të bukur “kasus belin”, për rimarrjen e pushtetit.
Nuk ka ndodhur kurrë në historinë e njerëzimit që krimet e llahtarshme ndaj njerëzve të pambrojtur e të pafajshëm, siç ndodhi me krimet e komunizmit në Shqipëri e gjetkë, të mbeten pa u ndëshkuar, qoftë edhe moralisht. Fakti që populli ynë nuk e ka dënuar ende botërisht regjimin kriminal të ideologjisë komuniste, është fatkeqësia më e madhe e tij dhe precedenti i parë në botë. Sepse ky fakt e ka krijuar këtë precedent të padëgjuar ndonjëherë, ngaqë i ka lënë të lirë njerëzit që, gati për një gjysmë shekulli në Shqipëri, bënë krime dhe vjedhje monstruoze, me moton fatale: “Vra, pre dhe vidh se nuk të ndëshkon njeri, nuk të hyn gjemb në këmbë!”
Ndodhi edhe më 1997-n kështu. Kur komunistët shqiptarë të pandëshkuar për krimet e mëparshme organizuan revolucionin e armatosur nga armët e depove ushtarake, me moton: “Populli ushtar, Partia në ballë!” dhe rrëzoi qeverinë demokratike, pasi kjo kishte përmbysur diktaturën komuniste më 1992-shin. As ky revolucion i kuq i bandave kriminale nuk u ndëshkua nga drejtësia e shtetit ligjor. Por jo vetëm kaq. Më e padëgjuara ndodhi më pas. Kur këto forca politike, me origjinë nga e kaluara kriminale, gjetën mbështetje dhe përkrahje edhe nga disa qeveri të mëdha, simbol të demokracive perëndimore, si mbështetës dhe përkrahës gjoja të moshës së re me mentalitet të ri, properëndimor. Pa u kërkuar kurrë atyre “të rinjve me prejardhje komuniste” që të distancohen nga e kaluara e paraardhësve të tyre, qoftë edhe moralisht: Që solli precedentin e dytë në Shqipëri...
Për këtë është vetë populli shqiptar dëshmitar se si kjo “moshë e re e pinjollëve komunistë”, me bekimin e ambasadorëve perëndimorë, që i prisnin e i përcillnin vazhdimisht nëpër selitë e tyre apo duke i shoqëruar gjatë bulevardit, i mësonin se si ata t’i turreshin ekonomisë së vendit dhe asaj private, për t’u bërë milionerë apo miliarderë, më të fuqishëm, ndoshta, edhe nga të mafies ballkanike dhe evropiane. Jo vetëm kaq, por gjatë tetë vjetëve që këta të “rinjtë socialistë” u bënë properëndimorë të pasur, vranë apo dëbuan nga Shqipëria shumë intelektualë me bindje të pastra demokratike e kombëtare, burgosën krerë të Partisë Demokratike dhe eliminuan me atentate dhjetëra demokratë, mbi të gjithë Heroin e Shekullit XX të kombit shqiptar, demokratin dhe nacionalistin e paepur, Azem Hajdarin, asnjë gjemb në këmbë nuk u hyri e nuk u ka hyrë gjinushëve & CO., të cilët gëzojnë mbështetjen dhe përkrahjen e fuqishme të ambasadorëve perëndimorë. Fatkeqësisht, ky është precedenti i tretë në Shqipëri...
Nuk ka se si të ndodhte ndryshe që, edhe pas 18 vjetëve pluralizëm, në Shqipëri nuk janë hedhur ende kolonat e para të shtetit ligjor, nuk janë vendosur ende marrëdhëniet e para të ekonomisë së tregut. Ndryshe, kriminelët e mijëra vrasjeve dhe vjedhjeve të paligjshme gjatë regjimit komunist nuk do të ishin ata, sot, të kapardisur nëpër podiumet e mitingjeve si ideologët e mëdhenj të demokracisë evropiane apo si ofiqarë të shquar mbi poltronat e larta të administratës shtetërore, si biznesmenë, si poetë, si shkrimtarë, si dijetarë... Turp i madh për ata njerëz të thjeshtë që u besojnë ende këlyshëve të ujqërve të djeshëm, të cilët atëherë ia shqyenin moralin dhe leckat e trupit, i fusnin në burg, ua hiqnin bukën e kalamajve po të mos thërrisnin, sa u hante fyti, për diktatorin, ndërsa sot i tërheqin zvarrë nëpër mitingje, për pesë lekë të qelbura... Por turpi i madh është edhe i atyre që monitorojnë “demokracinë” tonë dhe bëjnë sehir e mbushin xhepat plot me fatkeqësitë dhe vuajtjet e këtij populli fisnik, duke përkrahur e mbrojtur pa asnjë princip kriminelët e djeshëm të pa ndëshkuar!