E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli i Vlorës: Rihetim tragjedisë së 9 janarit



Hetimet për tragjedinë e 9 janarit do të rinisin. Vendimi është marrë dje nga Gjykata e Apelit në Vlorë, të cilët pas shqyrtimit edhe të kërkesës së bërë nga grevistët për rihapje të hetimeve për shkak se ka prova të reja, vendosën të pranojnë këtë kërkesë dhe t’u japin të drejtë grevistëve, por edhe kërkesës së bërë publike nga deputetët e Shkodrës dy ditë më parë, për rihapje të hetimeve për këtë ngjarje tragjike, ku humbën jetën 28 persona, të cilët iknin me gomone nga Shkodra drejt Italisë. Burime bëjnë të ditur se ky organ ka vendosur në këtë mënyrë të marrë në mbrojtje kërkesat e grevistëve, të cilët janë familjarët e të humburve nga kjo tragjedi, për rihapjen e hetimeve të ngjarjes së rëndë, e cila ndodhi 5 vjet më parë në ujërat e Adriatikut. Një ndër provat e paraqitura nga grevistët për këtë tragjedi janë deklarimet e dhëna 5 vjet më parë nga ish-shefi i Krimeve, Bizhga, i cili ka deklaruar se në gjirin e Dafinës është gjetur një gomone me trupa të të mbyturve. Ndërkaq, bëhet e ditur se ish-ministri i Mbrojtjes në atë kohë, Pandeli Majko, i ka dërguar një letër Kryeprokurores Ina Rama, në të cilën i kërkon rihapje të hetimeve dhe organit të akuzës në tërësi, të verifikojë çdo aludim që bëhet rreth emrit dhe pozicionit të tij të dikurshëm në momentin kur ndodhi tragjedia e 9 janarit. Ndërkohë që gjatë grevës disaditore të urisë të familjarëve të viktimave, të cilët kërkonin rihapje të hetimeve, edhe zv.kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, kontaktoi me grevistët edhe kryetarin e shoqatës së tyre, Nikoll Mhilli, duke u premtuar mbrojtje atyre. Në daljen e tij përpara mediave mbi këtë ngjarje, Spahiu ka thënë se “drejtësia ka akoma për të thënë për këtë ngjarje të pesë viteve më përpara”.

Vendimi, 10 të akuzuarit u dënuan me 178 vjet burg

Gjykata e Rrethit Vlorë dënoi 10 persona të cilësuar përgjegjës për tragjedinë, nga të cilët gjashtë me 25 vite heqje lirie dhe 5 prej tyre janë të dënuar në mungesë. Mbrëmjen e 9 janarit të vitit 2004, 28 persona u nisën me një gomone për në Itali, por gjetën vdekjen në Karaburun, duke hapur plagë të thella në familjet që humbën të dashurit e tyre. Familjarë të tragjedisë së 9 janarit kërkojnë të zbardhet sa më shpejt kjo ngjarje. Ata i bëjnë apel shtetit për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe të dalë e vërteta për tragjedinë e rëndë. Tragjedia ka shënuar 28 viktima, trupat e 8 prej të cilëve nuk janë gjetur. Për këtë tragjedi, Prokuroria e Vlorës kërkoi dënimin me 195 vjet burg për të gjithë të akuzuarit si shkaktarë të tragjedisë së 9 janarit. Në përfundim të procesit, Gjykata e Vlorës vendosi që i akuzuari Viron Çobaj, pronari i skafit, të dënohet me 25 vjet burg e 1 milion lekë gjobë. Me nga 25 vjet burg u dënuan edhe Nazmi Hyka, i akuzuar si sekser, Cukal Delia, Zef Marku, Altin Beluli, Elton Tafili dhe Hysni Tafili, me nga 20 vjet burg. Gjithashtu u dënuan edhe Artan Rrokaj e Albert Alliu, me nga 9 vjet burg, pasi kishin ndihmuar gjykatën në zbardhjen e procesit. Për Servet Beshon gjykata vendosi dënimin me kohën e paraburgimit. Dy të akuzuarit e tjerë, Zamir Podgorica e Saimir Hyka, janë shpallur të pafajshëm nga ana e gjykatës, kurse ndaj shtetasit Çlirim Syka gjykata ka vendosur rishqyrtimin nga e para të çështjes.

Ngjarja

Tragjedia e 9 janarit ndodhi në afërsi të Vlorës, kur 30 persona ishin duke udhëtuar me skaf drejt Italisë. Pikërisht mbrëmjen e asaj dite ndodhi edhe tragjedia, kur gomonia me 36 klandestinë u nis në det të trazuar 5-6 ballë në drejtim të Italisë nga gjiri i Palasës. Për personat e dënuar, hetuesit kishin formuluar akuzën e dhënies ndihmë në kalim të paligjshëm të kufirit, me pasojë vdekjen. I arrestuari Hyka, sipas vendimit të gjykatës, ka organizuar dhe transportuar në drejtim të Vlorës me një furgon, në bashkëpunim me Cukal Delinë dhe Zef Markun, një grup prej më tepër se 30 personash, më 9 janar 2004.

Majko, letër Ramës

Prokuroria të rihetojë tragjedinë e 9 janarit

Ish-ministri i Mbrojtjes, Pandeli Majko, i kërkoi dje përmes një letre Kryeprokurores Ina Rama që të rihapë hetimet për tragjedinë e 9 janarit. Në letër Majko i kërkon gjithashtu që të sqarohet edhe pozicioni i tij si ministër Mbrojtjeje i asaj kohe, nisur nga disa aludime të bëra më parë por edhe tani, siç i quan ai. “Nisur nga disa deklarime politikanësh, por edhe në mbështetje të bashkëfamiljarëve, të cilët kanë humbur të afërmit e tyre në tragjedinë e 9 janarit 2004, në mbështetje të të gjitha procedurave ligjore në fuqi, do t’u lutesha për rihapjen e hetimeve lidhur me këtë çështje. Ju drejtohem juve, që nga ana e institucionit tuaj të verifikohet çdo lloj aludimi i bërë si më parë, ashtu edhe sot, për periudhën që unë kam drejtuar Ministrinë e Mbrojtjes për këtë çështje”, - shkruan Majko. Tragjedia e 9 janarit u rikthye në vëmendjen e publikut pas futjes në grevë urie të familjarëve të viktimave, të cilët kërkojnë të rihapet hetimi dhe të zbardhet plotësisht e vërteta. Dy ditë më parë edhe deputetët e djathtë në Shkodër kërkuan nga prokuroria zbardhjen e kësaj tragjedie. Një vit më parë, Majko i ka shkruar një tjetër letër Kryeprokurores Ina Rama në lidhje me ngjarjen e Gërdecit.

Dënimet për 9 janarin

Viron Çobaj, 25 vjet burg

Nazmi Hykaj, 25 vjet burg

Cukal Delija, 25 vjet burg

Zef Marku, 25 vjet burg

Elton Tafili, 20 vjet burg

Altin Belulaj, 20 vjet burg

Hysni Tafili, 20 vjet burg

Arten Rrokaj, 9 vjet burg

Albert Aliu, 9 vjet burg

Servet Beshaj, paraburgim

Zamir Podgorica, pafajësi

Saimir Hykaj, pafajësi

Çlirim Sykaj, rishqyrtim

Viktimat e tragjedisë

1- Liza Martini, 35 vjeçe

2- Alfred Lleshi, 19 vjeç

3- Paulin Pushimaj, 21 vjeç

4- Tom Gjoni, 18 vjeç

5- Gëzim Fusha, 18 vjeç

6- Liza Prenga, 37 vjeçe

7- Arben Prenga, 24 vjeç

8- Rasim Miruku, 55 vjeç

9- Besmira Miruku (Dibrati), 16 vjeçe

10- Sadik Doci (Rakaj), 24 vjeç

11- Gëzim Kurtaj, 33 vjeç

12- Oltion Jacaj, 23 vjeç

13- Ridvan Lumaj, 16 vjeç

14- Mark Ndou, 18 vjeç,

15- Tonin Toka, 19 vjeç

16- Marlen Mhillaj, 20 vjeç

17- Dritan Hetaj, 32 vjeç

18- Agron Markaj, 24 vjeç

19- Shpëtim Dizdari, 34 vjeç

20- Skafisti nga Vlora

Viktimat, trupat e të cilëve nuk u gjetën:

1- Ndue Sanaj, 21 vjeç

2- Artan Sagrini, 33 vjeç

3- Arian Gjilaj, 29 vjeç

4- Marjana Zajeti, 18 vjeçe

5- Kreshnik Bjeshka, 25 vjeç

6- Fahrije Mehemeti (Dizdari), 34 vjeçe

7- Gjin Grizha, 19 vjeç

8- Ermira Grizha (Nicaj), 16 vjeçe

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›