TV “ALSAT”, skaneri i futbollit shqiptar

Televizioni prestigjioz "ALSAT" do të jetë edhe këtë sezon "skaneri" i kampionatit shqiptar të futbollit, mision që e kryen prej katër sezonesh, duke fituar edhe vëmendjen e specialistëve, trajnerëve, futbollistëve, por mbi të gjitha të medias dhe dashamirësëve të futbollit. Edhe këtë sezon ky serial investigues i futbollit shqiptar dhe i sportit në përgjithësi i është besuar moderatorit të mirënjohur Gerti Carcani. "Do të jenë 33 emisione që do t'i kushtohen kampionatit, duke mos harruar, specialen në fund të sezonit apo dhe specialet kushtuar ndeshjeve të Kombëtares shqiptare", - tha për albania-sport.com, moderatori Carcani, i konsideruar si Sandro Picinini shqiptar, duke iu referuar drejtuesit të "Controcampo" në Italia Uno.
Programacioni i televizionit të parë shqiptar privat në satelit, "ALSAT", ka ndërtuar në hollësi të gjitha detajet e punës me grupet e gazetarëve dhe atyre të xhirimit që do të pasqyrojnë të gjashtë ndeshjet e javës në Kategorinë Superiore. "Përvec këtij emisioni, -shton gazetari Carcani, - do të jenë edhe dy emisione cdo javë, me siglën "Studio Sprint" cdo të hënë dhe të enjte që i kushtohen sportit në televizionin "ALSAT".
Franc Hoxha