E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nesër nis “maratona” e 68-të e futbollit shqiptar

Nesër, me katër ndeshjet e javës së parë starton zyrtarisht Kampionati i 68-të Kombëtar i futbollit për Kategorinë Superiore, në të cilin marrin pjesë 12 skuadra. Sezon që do të zhvillohet në tre faza. Pas një maratone 33 javëshe me 198 ndeshje të zhvilluara do të përcaktohet edhe kampioni i ri, i sezonit 2006-2007. Nga 12 skuadrat që marrin pjesë, janë 7 ekipe që të paktën e kanë fituar një herë titullin, ndërkohë që nga 8 skuadrat kampione, vetëm Skënderbeu që e ka fituar atë vetëm një herë në kampionatin e vitit 1934, nuk merr pjesë. Skuadrat e tjera: rekordmenia e titujve, Tirana (22 herë), Dinamo (16), Partizani (15), Vllaznia (9), Elbasani (2), Flamurtari (1) dhe Teuta (1 herë) janë në garë për të fituar trofeun me numër: 68-të.
Java e parë e sezonit, përball dy ekipet më të mira të vendit: kampionin, Elbasani dhe nënkampionen dhe fituesen e Kupës së Shqipërisë e të Superkupës, Tiranën. Ndeshje që do të luhet të dielën në stadiumin "Ruzhdi Bizhuta".
Por, përpara se të luhet dueli i gjigandëve, sot në katër stadiume të tjera do të ndeshen: Kastrioti-Besa, Shkumbini-Flamurtari, Vllaznia-Luftëtari dhe Dinamo-Teuta. Ndeshje që parashikohen aspak të lehta në këtë fillim sezoni. Të gjitha ekipet kanë zhvilluar faza të forta përgatitore, miqësore të shumta, por edhe merkato të ethshme për të cilat klubet dhe presidentët kanë paguar lojtarë cilësore dhe kanë investuar shuma të mëdha.
Pas orës 17:00 gjatë zhvillimit të ndeshjeve do të vendosen edhe statistikat e para: shënuesi i golit të parë, fitorja, barazimi dhe humbja e parë, kartoni i parë i verdhë apo i kuq. Por, mbi të gjitha do të luhet futboll. Shqiptar. Herë cilësor dhe herë i ashpër.
Dash Frashëri
-----------
VERDIKTET E SEZONIT TE KALUAR
Kampion: Elbasani
Fitues i Kupës së Shqipërisë: Tirana
Fitues i Superkupës: Tirana
Të rrëzuar në Kategorinë e Parë: Skëndërbeu, Lushnja
Të ngjitur Kategorinë Superiore: Flamurtari, Apolonia, Kastrioti, Luftëtari
Golashënuesi më i mirë: Hamdi Salihi (Tirana) me 29 gola
Liga e Kampioneve: Elbasani
Kupa UEFA: Tirana, Dinamo
Kupa Intertoto: Partizani
-----------------------
SKUADRAT KAMPIONE
1. Tirana: 22 herë
2. Dinamo: 16 herë
3. Partizani: 15 herë
4. Vllaznia: 9 herë
5. Elbasani: 2 herë
6. Flamurtari: 1 herë
7. Teuta: 1 herë
8. Skënderbeu: 1 herë
------------------------
FITUESI I PARE DHE I FUNDIT
Fitues i kampionatit të parë, sezoni 1930: Tirana (1930)
Fitues i kampionatit të fundit, sezoni 2005-2006: Elbasani

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›