E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria ka dështuar me pronat dhe legalizimet

Autori i Lajmit: red.
Lëvizja Socialiste për Integrim deklaron se Qeveria ka dështuar në procesin e legalizimit dhe atë të pronave. Ky kolaps sipas zvendëssekretares së Përgjithshme të LSI-së, Brizida Gjikondi ngarkon me fajësi kryekëput Qeverinë shqiptare. Sipas saj në 1 gusht të këtij viti, sipas afateve ligjore nga ana e Qeverisë, duhej të ishte miratuar lista e ish-pronarëve që do të dëmshpërbleheshin nga tokat e zëna nga ndërtimet informale, ndërkohë procesi i legalizimeve, identifikimi, verifikimi, matjet dhe vlerësimet e tyre janë ende thjesht një demagogji. “Prononcimi euforik i Kryeministrit në lidhje me ligjin e për rishikimit e titujve të pronësisë dhe të ardhurat që do të mblidhen nga zbatimi i tij, të ardhura të cilat Kryeministri do i përdorë për kompensimin e ish-pronarëve pasqyrojnë sërish strategjitë fluturake dhe dështimin tërësor në këtë proces. Ende shteti shqiptar nuk ka një inventar të saktë të pronave sipas qarqeve, por edhe mbarë-territorial. Ende shteti shqiptar nuk ka listën e saktë për ish-pronarët, që u janë zënë tokat dhe shtëpitë nga të tretët”, - tha ajo. Gjikondi pohoi gjithashtu se mungon një strukturë administrativo-ligjore që do të merret me verifikimin, kthimin, njohjen dhe kompensimin e pronave, duke pasur parasysh se deri tani janë ngritur 3 struktura dhe ende asnjëra prej tyre nuk funksionon. Ato janë Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ALUIZNI dhe së fundmi Komiteti i ngritur para pak ditësh i kryesuar nga zvendëskryeministri. Sipas saj, dështimin total në këtë proces Kryeministri s mund ta anashkalojë duke bërtitur dhe duke bërë Prokurorin dhe Gjykatësin e “abuzuesve” të pronave. “Stategjia dhe demagogjia e tij me procesin e legalizimeve dhe pronave janë pa strukturë, pa afate dhe pa buxhet, ç ka vërteton se jo vetëm që kjo Qeveri nuk ka gjasa ta zgjidhë këtë dramë sociale dhe ekonomike që ka përfshirë shtetasit shqiptarë, por po rrezikon të bëhet bashkortakë në thellim tragjik të saj”, - tha ajo.
Ky lajm është publikuar: 18/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›