Nuk sfidohet mosha, vjen një ditë kur duhet të thuash mjaft
Doja të tërhiqesha nga kombëtarja para 4 viteve, por presidenti Duka ma mbushi mendjen të mos e bëja
Deklarata e Altin Lalës se në fund të këtij edicioni do të tërhiqem nga kombëtarja, sikur u harrua apo nuk ishte reale pas humbjes 1-2 me Francën në Qemal Stafa. Aktivizimi në pjesën e parë i luftëtarit të Hanoverit, i cili ndryshoi krejt lojën e Shqipërisë i bëri shumë dashamirës të kombëtares të mendoheshin gjatë.
A ishte vërtet Altin Lala në fushë? Ndërsa batutën më domethënëse e tha Astrit Hafizi: Lala më ka bërë të pendohem që kam thënë se ai duhet të largohet për tu lënë vendin më të rinjve. Por vjen një moment kur duhet ti thuash mjaft, pasi nuk mund të sfidohet mosha, deklaron Lala për Sportin shqiptar.
Altin, federata po përgatit ndeshjen e lamtumirës për ju, Ervinin dhe Klodin. Bëhet fjalë për miqësoren më 11, ose më 25 nëntor?
Tërheqja ime nga kombëtarja sështë ndonjë sekret. Unë e kam deklaruar edhe më pare, që në fund të edicionit të kombëtares do të tërhiqem. Tashmë koha po afrohet, më ka mbetur vetëm një ndeshje për të luajtur (me Rumaninë, pasi ndaj Francës smund të aktivizohet për arsye kartonësh).
Federata po përgatitet për një ceremoni lamtumire?
Kam dijeni se mund të organizohet diçka, por skam folur për këtë. Kam biseduar pak me Ervinin (Skela), pasi edhe ai mendoj se do të tërhiqet. Unë po shkoj 36 vjeç, edhe Ervini 35. Vjen një moment kur duhet ti thuash mjaft.
Ju vjen keq që duhet të tërhiqeni nga kombëtarja?
Shikoni, unë pata planifikuar të tërhiqesha nga kombëtarja qysh para katër vjetësh, me idenë që duhej tu hapja rrugën më të rinjve, por kjo nuk ndodhi. Vetë presidenti Duka më kërkoi që të isha pjesë e kombëtares, edhe pse nuk më mbeteshin shumë vite për të luajtur futboll. Unë kam luajtur prej mëse një dekade me kombëtaren dhe me Hanoverin, kam qenë kapiten i Hanoverit dhe i kombëtares, pra kam arritur gjithçka. Tani duhet të pranoj faktin që ka ardhur fundi.
Vitet e fundit është folur shumë për rinovimin e kombëtares, në një moment flitej se më të vjetrit duhet të largohen, pastaj në një moment tjetër se nuk bëjmë dot pa ta?
Kjo është e vërtetë. Duhet të kuptojmë diçka, askush në kombëtare nuk e ka vendin me tapi. Kush e meriton, luan. Më të rinjtë duhet të punojnë shumë, të aktivizohen rregullisht me klubet e tyre dhe të luajnë më skuadra me nivel të lartë, që ta meritojnë kombëtaren. Skuadra përfaqësuese është maja e futbollit, qershia mbi tortë, por përgatitjen duhet ta bësh te klubet.
Lala, Skela, Duro e Bogdani janë të fundit e atij brezi që ka shkëlqyer në vitet 2000?
Besoj që kjo ka të bëjë me faktin se ne jemi stërvitur qysh fëmijë, para se të prishej sistemi, pra para 90-tës. Atëherë egoja për tu bërë futbollist i mirë ishte më e madhe, kushtet stërvitore ishin më të mira, ndërsa sot në Shqipëri mungojnë shumë gjëra. Fëmijët e sotëm në Shqipëri gjejnë ndoshta mënyra të tjera argëtimi ose kanë gjithçka gati nga prindërit e tyre.
Kjo i pengon të punojnë e të bëhen profesionistë. Them se të gjitha argumentet që solla më lart lidhen me faktin që brezi ynë, i formuar fillimisht në Shqipëri para vitit 1990 dhe më pas i zhvilluar jashtë, ishte ndër më të mirët që ka pasur kombëtarja shqiptare.
Ju ka mbetur peng që nuk luajtët titullar me Francën?
Çdo futbollist i grumbulluar në kombëtare ka dëshirë të luajë. Unë, pavarësisht se nuk po aktivizohem te Hanoveri, kam zhvilluar një fazë përgatitore të shkëlqyer dhe ndihesha shumë mirë. Trajneri mendoi se ishte më mirë të më mbante në stol dhe unë nuk dua të polemizoj. Pastaj, mua mu dha mundësia të luaja shumë shpejt, pasi u dëmtua Curri. Gjithsesi, trajneri i merr përgjegjësitë edhe për rezultatin e ndeshjes, kështu që lojtarët sduhet ti diskutojnë vendimet e tij.
Ju jeni kapiteni aktual i kombëtares, por pas tërheqjes tuaj dhe të Skelës shiriti duhet ti kalojë dikujt tjetër, pse jo, Canës?
Shiriti i kapitenit është aq i rëndësishëm sa edhe i parëndësishëm. Mjafton që lojtari që do ta mbajë ta bashkojë skuadrën dhe të ketë eksperiencën e duhur për ta marrë përsipër. Të gjithë e keni parë që Barcelona ia la Abidalit shiritin e kapitenit në finalen e Champions-it, një veprim shumë domethënës, që e unifikon skuadrën.
Pikërisht kjo është detyra e atij që do të jetë kapiten i kombëtares. Ju përmendët Canën dhe unë them se ai edhe për rolin që ka në fushë si qendërmbrojtës, është i përshtatshëm për të mbajtur shiritin.
Shqipëria humbet edhe Currin, 5 mungesa në Francë
Josip Kuze vazhdon të marrë lajme të këqija ditët të fundit. Trajneri kroat nuk do të mund të llogaritë Debatik Currin për dy ndeshjet e mbetura të Shqipërisë në kuadër të eliminatoreve për Euro 2012, kundër Francës dhe Rumanisë. Curri po vuan nga dëmtimi i pësuar në humbjen me Francën 1-2 në stadiumin Qemal Stafa dhe nuk pritet ti rikthehet fushës të paktën edhe tri javë.
Pas dëmtimit me Francën kam vijuar fazën riaftësuese, mirëpo mjekët në Turqi më kanë thënë se lëndimi nuk është edhe aq i lehtë sa është menduar, – shprehet Curri. – Duhet të pushoj katër javë dhe nuk besoj se do të luaj kundër Francës dhe Rumanisë. Shqipëria do të ketë mungesa të tjera shumë të rëndësishme në Francë. Përveç Bogdanit dhe Agollit, të ndëshkuar me të kuqe me Luksemburgun, do të mungojnë edhe Lala me Telin, që kanë plotësuar numrin 2 të kartonëve të verdhë.
Mançesteri paguan 600 mijë euro për talentin kosovar
Shumë të rinj në Shqipëri dhe Kosovë ëndërrojnë të bëhen futbollistë të mëdhenj, por ka shembuj që na tregojnë se ëndrrat mund të bëhen realitet. Adnan Jonuzaj, i cili jetonte në Belgjikë, ku ishte pjesë e skuadrave zinxhir të Anderlehtit, tashmë është pjesë e Mançester Junajtit. Për Bekhamin e ri, skuadra e Sër Aleks Fergusonit ka paguar 600 mijë euro.
Ka qenë ëndrra ime të luaj me një ekip si Mançester Junajtid, u shpreh Jonuzaj për shtypin anglez. Sivjet ai do të luajë me ekipin U-16 të Mançesterit. FSHF është mjaft e interesuar për ta pajisur të riun e talentuar me pasaportë shqiptare, por ende nuk e ka gjetur gatishmërinë e prindërve të futbollistit në fjalë për ta nisur këtë proces.
