E Diel, 1 Nëntor 2026

Borxhlinjtë e bankave, 97 dosje i kalojnë Përmbarimit



Mosshlyerja e kredive nga qytetarët që kanë marrë hua nga bankat shtetërore dhe ato private ka vënë në lëvizje edhe Zyrën e Përmbarimit. Më shumë se 500 kredi rezultojnë të pashlyera në rrethin e Korçës gjatë dhjetë viteve të fundit. Kjo e ka çuar Agjencinë e Trajtimit të Kredive të kërkojë edhe ndërhyrjen e Zyrës Përmbarimore për të bërë vjeljen e tyre. Kreditorët që nuk kanë shlyer borxhet ndaj bankave janë të shumtë, ndërsa pjesa më e madhe e tyre janë larguar në emigracion. Por edhe pse kanë marrë para nga bankat dhe nuk i kanë kthyer gjatë dhjetë viteve të fundit, ndërsa kryesisht kërkesat kanë qenë për biznese të vogla dhe mjete bujqësore, këtë herë agjencia e trajtimit të kredive ka vendosur me çdo kusht të detyrojë personat debitorë të derdhin shumat ndaj bankave. Aktualisht, rreth 52 dosje i janë çuar për ekzekutim Zyrës së Përmbarimit në Korçë, 25 të tjera në qytetin e Pogradecit dhe 20 për zyrën përkatëse të Rrethit të Kolonjës. Gjithsej ato janë 97 vetëm në qarkun e Korçës, për të cilat po procedohet nga drejtësia.

6 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›