Të përndjekurit protestojnë për dekretet e Topit para Kryeministrisë
Shoqata Mbarëkombëtare e Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë kanë protestuar gjatë mesditës së djeshme përpara Kryeministrisë për miratimin e dekreteve të presidentit Topi për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Shoqata e të Përndjekurve ka falënderuar presidentin Topi, i cili ka marrë në konsideratë emrin e një prej përfaqësuesve të kësaj shoqate për ta dekretuar si anëtar të Gjykatës së Lartë. Në një deklaratë për mediat sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së të përndjekurve, Besim Ndregjoni, ka shprehur vlerësime ndaj presidentit Topi, i cili bashkëpunon me të përndjekurit politikë dhe vlerëson kapacitetet e tyre për të pasur në Drejtësinë shqiptare juristë me një integritet moral dhe profesional. “Kandidatura jonë vjen prej një persekutimi 45-vjeçar, i cili mbasi mbaroi shkollën e mesme shkëlqyeshëm duke jetuar tek halla e tij se nuk i jepnin të drejtë studimi si biri një kulaku. Punon në Gjykatën e Tiranës, ku shquhet për shembull në pune dhe gjatë 10 viteve nuk i kthehet asnjë vendim dhe shpallet nga institucionet ndërkombëtare që menaxhonin drejtësinë, si ‘Gjyqtari i vitit’”, - është shprehur Ndregjoni. Ai i ka bërë thirrje maxhorancës që të mos bllokojë dekretet e Topit dhe të zbatojë rezolutën e Këshillit të Europës për dënimin e krimeve të komunizmit dhe për hapjen e dosjeve të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit.
6 Qershor 2008