Tabaku: Tirana e pastër nis nga secili prej nesh

Bashkia e Tiranës, fushatë sensibilizuese për pastrimin e ambientit të Tiranës
Nënkryetarja e Bashkisë, Jorida Tabaku u shpreh dje se Bashkia e Tiranës, së bashku me IFC është duke hartuar planin afatgjatë të menaxhimit të integruar të mbetjeve, si dhe ka falënderuar qytetarët, për ndërgjegjësimin për të paguar taksën e pastrimit. Tabaku theksoi se, “Tirana e pastër’ duhet të nisë nga secili prej nesh”.
Për këtë arsye, nënkryetarja Tabaku së bashku me Shoqatën e Korpusit të Vullnetarëve apeluan dhe njëherë tjetër për ndërgjegjësim dhe bashkëpunim të qytetarëve në funksion të realizimit të një projekti të tillë.
“Unë gjej rastin këtu, për të falënderuar edhe të gjithë taksapaguesit e Tiranës, të cilët kanë filluar të paguajnë taksën e pastrimit për qytetin dhe ne përpiqemi maksimalisht që të gjithë fondet të shkojnë vetëm për pastrimin e qytetit. Kemi filluar dhe kemi ndërmarrë iniciativën që me bizneset e komunitetin, ne të vendosim rreth 2000 kosha në të gjithë Tiranën, në mënyrë që këto situata të pakëndshme, të mos i vëmë re edhe në të ardhmen. Një nga iniciativat afatmesme dhe afatgjata që ne kemi nisur dhe do lançojmë në fund të këtij viti është edhe bashkëpunimi që kemi me Shoqatën Financiare Ndërkombëtare, duke përgatitur për herë të parë një plan afatgjatë për menaxhimin e integruar të mbetjeve, duke bërë të mundur që nga mbledhja deri tek përpunimi, të realizohet një proces i cili do të ketë përfitime për të gjithë qytetarët e Tiranës. Sigurisht që ky është një proces afatgjatë, ndërkohë që iniciativa si këto që ne diskutuam, shpresoj që të ndihmojnë në ndërgjegjësimin e komunitetit”, u shpreh Nënkryetarja Tabaku.
Tabaku ka ftuar edhe njësitë bashkiake të kontribuojnë në iniciativat për të ndërgjegjësuar qytetarët, por edhe kontribuar për një ambient sa më të pastër, i cili nis nga pragu i derës së çdo qytetari.
“Unë kërkoj bashkëpunimin maksimal nga njësitë bashkiake, me strukturat e Policisë Bashkiake, në mënyrë që në çdo rast që ne identifikojmë situata të tilla t’i denoncojmë. Besoj se që të gjithë jeni njohur edhe me numrat që janë shfaqur në fletëpalosje e broshura në kontenieret e pastrimit, numrin e gjelbër të Bashkisë dhe Policisë Bashkiake dhe nëse secili prej jush vëren raste të ndotjes së mjedisit, kur hapësirat e gjelbra të përbashkëta të qytetarëve të Tiranës janë subjekt i ndotjeve në mjedis, ne do vlerësojmë shumë ndihmën dhe kontributin tuaj. Ju falënderoj dhe shpresoj se ky bashkëpunim i nisur të vazhdojë sa më gjatë me shoqërinë civile, por nga ana tjetër të kemi edhe mbështetjen e të gjithë komunitetit, nëpër njësitë bashkiake, të cilët në këtë rast janë ata që përballen dhe evidentojnë më shumë këto raste”, theksoi Tabaku.
Bashkia e Tiranës, 5 projektvendime të reja për në këshillin bashkiak
Këshilli Bashkiak do të mblidhet javën e ardhshme për të miratuar pesë projektvendime të reja. Burime nga Bashkia e Tiranës, konfirmojnë se më datë 2 maj, në Këshill do të diskutohen për miratim projektvendimi për draftin e rregullores për organizimin funksionimin, ndarjen e detyrave dhe përgjegjësive për administratën bashkiake.
Një tjetër vendim i parashikuar është miratimi i vlerës maksimale të bonusit të strehimit për tri zona të rëndësishme, që përfshijnë hapësirat brenda unazës së vogël, atë ndërmjet dy unazave si dhe territoret periferike jashtë saj. Këshillit do t’i paraqitet për miratim dhe projektvendimin për ndryshimin e buxhetit mbi miratimin e shpërblimit prej 2 milionë lekësh të reja sportistes Romela Begaj për arritje të rezultateve të larta sportive.
Në fund do të diskutohet edhe drafti për miratimin e tavaneve përgatitore të programit buxhetor afatmesëm për periudhën 2013-2015.
Bashkia e Tiranës
Rregullore e re për punonjësit
Bashkia e Tiranës vendos rregulla strikte për punonjësit e saj. Rregullorja e re për organizimin, funksionimin dhe ndarjen e detyrave e përgjegjësive në aparatin e Bashkisë, e cila do të marri miratimin e Këshillit Bashkiak, vendos kritere për veshjen dhe kodin e etikës që punonjësit duhet të përmbushin gjatë orarit të punës. Neni 16 i rregullores mbi etikën dhe kodin e veshjeve të punonjësve, përcakton se punonjësit duhet të paraqiten çdo ditë në ambientet e punës me kostume e kravata. Në nivele më të ulëta sesa rangu i drejtorit punonjësi, ata duhet të mbajë detyrimisht pantallona dhe këmishë serioze.
Ndërsa punonjëset e kanë të ndaluar mbajtjen e fundeve apo fustaneve të shkurta apo këmisha e bluza me dekolte. Rregullorja përcakton edhe kujdesin që nëpunësit duhet të tregojnë për higjienën në ambientet e punës dhe mbajtjen e flokëve.
Për punonjësit meshkujt ndalohet mbajtja e flokëve nën gjatësinë e përcaktuar, ndërsa për punonjëset ndalohen nuancat e forta dhe modelet ekstravagante.
Krahas veshjes është e ndaluar kategorikisht edhe konsumi i duhanit dhe pijeve alkoolike në ambientet e Bashkisë madje edhe në bar-kafen që ndodhet brenda aparatit të Bashkisë. Tarraca dhe ambientet e tjera jashtë Bashkisë janë të vetmet ambiente ku do të lejohet pirja e duhanit.
Nëpunësit dhe punonjësit, janë të detyruar t’u përmbahen normave të etikës gjatë orarit të punës, thuhet në rregulloren e re.
Parkimi nëntokësor te Sheshi “Italia” - Bashkia publikon skemën e re të qarkullimit
Bashkia e Tiranës ka bërë publike skemën e re të qarkullimit të automjeteve tek sheshi “Italia”, si rrjedhojë e fillimit të punimeve për ndërtimin e parkimit nëntokësor.
Ishte Drejtoresha e Drejtorisë së Transportit dhe Lëvizshmërisë në Bashkinë e Tiranës, Nerejda Hoxha, ajo e cila ka sqaruar mbi skemën e re të qarkullimit.
“Me fillimin e punimeve për ndërtimin e parkimit nëntokësor te sheshi ‘Italia’, Bashkia e Tiranës do të vërë në zbatim një skemë të re të qarkullimit të mjeteve në këtë zonë. Sheshi ‘Italia’ do të jetë i bllokuar përgjatë gjithë kohëzgjatjes së punimeve. Mjetet do të kalojnë mbrapa stadiumit ‘Qemal Stafa’, në rrugën ‘Dervish Hima’, për tu lidhur pastaj me rrugën e ‘Elbasanit’. Rruga mbrapa stadiumit ‘Qemal Stafa’ dhe ‘Dervish Hima’ do të jenë me dy sense dhe me ndalim qëndrimi 24 orë. Për të lehtësuar rrjedhjen e trafikut, Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë riparimin e rrugëve në këtë zonë si dhe do të shpërndajmë njoftimet, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake për të gjithë rezidentët e zonës si edhe nëpër subjektet që kryejnë aktivitet në këtë zonë, ku të njoftohen për vënien në zbatim të skemës së re. Gjithashtu, shfrytëzoj rastin që të kërkoj mirëkuptimin e qytetarëve për këtë skemë të re të qarkullimit, që do të vihet në zbatim në Tiranë”, u shpreh Hoxha.
Për të lehtësuar rrjedhjen e trafikut, Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë riparimin e rrugëve në këtë zonë si dhe do të shpërndajmë njoftimet, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake për të gjithë rezidentët e zonës si edhe nëpër subjektet që kryejnë aktivitet në këtë zonë, ku të njoftohen për vënien në zbatim të skemës së re.