Lajmi/ADK prezanton Jozefina Topallin si kandidate për presidente
Aleanca Demokristiane e ish-ambasadorit, Zef Bushati, u bëri thirrje forcave politike parlamentare që të japin konsensus për Jozefina Topallin si Presidente e Republikës, emrin e së cilës Bushati tha se e kanë propozuar të parët për këtë post.
Topi ndonëse i ardhur si President nga e djathta nuk firmosi ligjin për lustracionin, i cili i mungon sot Shqipërisë. Aleanca Demokristiane e konsideron të pafalshme që vendi që ka vuajtur më shumë nga diktatura komuniste ende nuk ka një ligj të tillë.
Aleanca Demokristiane sipas Bushatit si një forcë e re politike dhe pa mëkate në të shkuarën mori një rezultat të kënaqshëm në zgjedhjet vendore të 2011-ës.
Për zgjedhjet parlamentare ajo pretendon të fitojë 3 deputete dhe një post ministror në qeverisje. E rëndësishme, thekson Bushati, është që të garantohet vota e çdo qytetari.
PAD prezanton Neritan Cekën si kandidat për president/Neritan Ceka ka zyrtarizuar dje kandidimin e tij për President të Republikës. Pas ish kryeministrit Fatos Nano, garës së kreut të ri të shtetit, i shtohet dhe presidenti i PAD, Neritan Ceka. Nënkryetari i PAD-së, Eduart Abazi tha gjatë një deklarate për mediat, se në kushtet kur mundësitë për konsensus janë të pakta Neritan Ceka është një kandidaturë dinjitoze, për këtë post. Ceka ka qenë në garë për postin e Presidentit edhe në 2007-ën. Ceka dhe Nano mbeten emra të vjetër në tregun e kandidatëve presidencialë dhe secili do të duhet të sigurojë firmat e 20 deputetëve. Demokratët që kanë shumicën e votave në Kuvend kanë deklaruar se presidenti do të vijë nga radhët e tyre përmes një procesi konsultimesh, ndërsa emri më i përfolur në media është ai i kryetares së Kuvendit, Topalli. Me emra nuk kanë folur as socialistët të cilët kërkojnë një proces konsensual për zgjedhjen e kreut të shtetit.