Tabulatet e Konomit, mbi 40 persona do të merren në pyetje
Të gjithë personat që kanë kontaktuar në telefon me Franc Konomin ditët e fundit para vrasjes, do të merren në pyetje nga policia. Disa prej tyre janë pyetur, por pjesa tjetër pritet të thirret në ditët në vazhdim. Ndërkaq, policia tha se çështjen e vrasjes së Konomit po e heton edhe për një pronë të tij, që mendohet se është marrë me presion për shkak të një borxhi që atij i kanë pasur pronarët e parë.
Ky fakt konfirmohet nga burimet e grupit hetimor, të cilët kanë bërë analizën e tabulateve dhe të dhënave të ardhura nga dy kompanitë telefonike. Sipas të dhënave hetimore, pas analizës së kryer për telefonatat ndaj Konomit nuk rezulton të ketë ndonjë indicie që mund të çojë tek autorët e krimit, por sërish kontaktuesit e 42-vjeçarit do të merren në pyetje. Burimet policore bënë të ditur se dy ditë më parë mbërritën tabulatet telefonike të viktimës, nga dy numrat që ai kishte në përdorim, ku rezultojnë se për disa ditë ka kryer shumë thirrje telefonike. Veç dy numrave që ai kishte me vete, grupi hetimor ka kontrolluar edhe dy numra të tjerë, që i janë gjetur gjatë kontrollit në banesë, por ata nuk i përdorte prej kohësh.
Kështu, lista e telefonuesve dhe të telefonuarve shkon mbi 40 persona, të cilët janë thirrur disa herë. Në këto kushte, grupi hetimor shprehet se ata do të merren të gjithë në pyetje nga ana e oficerëve të policisë gjyqësore, me qëllim për të zbuluar sa më shumë të dhëna për personalitetin e Konomit, me shpresën që mund të çojnë te faktet e pakundërshtueshme për arrestimin e autorëve të dyshuar të ngjarjes mafioze, e cila ndodhi më 8 korrik, në mes të Tiranës.
Pak ditë më parë, policia mori në dorë edhe një dosje tjetër për dy grupe që ishin përplasur mes tyre në Spanjë, për shkak të prishjes së pazareve në trafikun e drogës. Informacionet sekrete erdhën me kërkesën e palës shqiptare, pasi edhe dyshimet për vrasjen e Franc Konomit lidhen me shtetin e Spanjës, pavarësisht se familja ka mohuar disa herë që 42-vjeçari të ketë qenë ndonjëherë në këtë vend. Në lidhje me vrasjen e Tiranës, policia shpjegon se ngjarja mund ta ketë zanafillën me krimin e ndodhur në Spanjë. Sipas dosjes hetimore, ku nuk janë bërë publike shumë të dhëna, për shkak të ruajtjes së sekretit, mësohet se bëhet fjalë për një ngjarje ku janë përfshirë dy grupe shqiptarësh.
Hetimet për rastin e Spanjës tregojnë që ngjarja ka ndodhur në një lokal lojërash fati, ku kanë qenë dy grupet shqiptare, që mendohet se po bënin pazare për trafik droge. Në negociata e sipër, gjakrat janë nxehur. Nuk dihen arsyet reale, por një person ka nxjerrë një pistoletë 15-she, duke vrarë një anëtar të grupit tjetër dhe duke plagosur të dytin. Më pas, autori i dyshuar i ngjarjes, që mendohet se është shqiptar, është larguar nga vendi i ngjarjes. Por, nga grupi tjetër një person ka vdekur me tre plumba, ndërsa i plagosuri që ka marrë katër plumba, ka shpëtuar, pavarësisht se asnjëherë nuk është zbërthyer për të treguar se kush e kishte kryer këtë krim.
Sipas të dhënave policore, ditën e krimit, pikërisht më datë 8 të këtij muaji, dy personat me motor kanë bërë disa xhiro në rrugën “Luigj Gurakuqi”, pranë sheshit “Avni Rustemi”, ku u ekzekutua 42-vjeçari Konomi. Ata janë vënë re nga disa njerëz, e madje është menduar se mos do të kryenin ndonjë grabitje në dyqanet e këmbimit të valutës. Madje, disa prej tyre e kanë fiksuar plotësisht atë, sidomos persona që i njohin mirë motorët. Sipas hetimeve, motori ka qenë i llojit “Trans alp”, me ngjyrë të zezë. Madje, një tjetër dëshmitar ka deklaruar se ishte me targa greke. Ndërsa e veçanta e motorit është se ka një serbator ngjyrë jeshile. Burimet nga grupi hetimor shpjegojnë se dy personat që kanë kryer krimin mendohet të jenë të moshës 25-30 vjeç dhe atë ditë kanë qenë të veshur me xhupa motori ngjyrë blu dhe xhins. Në kokë mbanin kaskat. Megjithatë, motori i veçantë ka mbetur në mendjen e disa personave, që tashmë janë marrë në pyetje edhe nga oficerët e policisë që po hetojnë vrasjen e Franc Konomit.
#