Taçi: Akuzat janë të rreme. S‘jam konfrontuar me Bazen
Biznesmeni Rezart Taçi dha dje version e tij për akuzat publike në lidhje me incidentin me gazetarin Mero Baze. Në një deklaratë për shtyp të shpërndarë nga zyra e shtypit të kompanisë ARMO, Taçi thotë se "në vijim të akuzave të rreme të zotit Mero Baze në lidhje me ngjarjen në lokalin ‘Caprico‘, ku përflitet papërgjegjshmërisht se unë kam ushtruar dhunë në drejtim të tij deklaroj me përgjegjësi të plotë se nuk kam pasur asnjë lloj konflikti fizik me zotin Mero Baze". Gjatë gjithë karrierës sime profesionale, thotë Taçi, kam bashkëpunuar me respekt dhe durim me të gjithë bashkëpunëtorët, partnerët dhe palët e treta pa cenuar as edhe një herë të vetme, edhe në situatat tepër të vështira, integritetin e askujt dhe për më tepër të ndonjë gazetari apo media edhe kur ka qenë kritike ndaj meje apo bizneseve të mia. "Akuza me të cilën po përpiqen të përbaltin personin tim dhe atë të bashkëpunëtorëve të mi nuk është gjë tjetër veçse vazhdim i një strategjie denigruese që ka si synim tjetërsimin e aktivitetit të kompanisë që unë zotëroj dhe përfaqësoj. Opinioni publik është tashmë i mirinformuar për këtë strategji, e cila ka shumë kohë që është gatuar kundër personit tim", sqaroi Taçi. Ai hodhi poshtë me indinjatë këtë akuzë të ulët në drejtim të tij dhe siguroi të gjithë opinionin publik se jo vetëm nuk është në karakterin e tij të shmanget, por janë të gatshëm të përballem me këto shpifje në çdo kohë përpara drejtësisë së vendit. Të pyetur nga gazeta "Shqip", përfaqësuesit e zyrës së shtypit të ARMO konfirmuan mbrëmë se biznesmeni ndodhet në Tiranë.