Taci-Oil në dilemë: Të blejë Kaljarin apo Livornon

"Livorno, post-Spineli kalon në Shqipëri". Ky është titulli i lajmit të bujshëm të publikuar në një prej faqeve më prestigjioze sportive në Itali, calciomecato.com. Sipas saj, Taci-Oil, kompania multinacionle shqiptare e naftës, me qendër në Tiranë (pronar Rezart Taci), njëherësh edhe sponsore zyrtare e "Milan Junior Camp", është shumë afër blerjes së një prej dy klubeve italianë të Serisë A, Kaljarit ose Livornos.
Lajmin e interesimit të fortë të "Taci-Oil" për të blerë një klub italian e konfirmoi për "Albania-sport.com" edhe zyra e Komunikimit me Median pranë kompanisë shqiptare, por duke mos dhënë asnjë detaj financiar, përvec faktit, se një agjenci e autorizuar italiane e rekomanduar nga Milani, tashmë i ka "transferuar" në Shqipëri të gjitha të dhënat me karakter ekonomik e financiar të dy klubeve italiane.
Gjithnjë, sipas calciomercato.com, presidenti i Livornos, Aldo Spineli, ka bërë prej kohësh të ditur vendimin e tij për të shitur klubin ku aktivizohet si i huazuar nga Kievo sulmuesi shqiptar, Erion Bogdani. Shoqëria toskane është në luftë për mbijetesë në Serinë A dhe një ndër më të rrezikuarat së bashku edhe me Empolin e Rexhinën (të trija me nga 30 pikë, kur kanë mbetur edhe katër javë për t'u luajtur).
Sipas ekspertëve italianë të futbollit janë dy motive për të cilat presidentët e dy klubeve italian (Livorno e Kaljari) për të ndryshuar pronar. "E para, - shkruan calciomercato.com, - pasi Aldo Spineli dëshiron të largohet, fakt që mund të verifikohet edhe te Kaljari me Masimo Celinon".
Sipas burimit italian, Kaljari konsiderohet nga pikëpamja ekonomike si klubi më i mundshëm për t'u blerë nga manjati i naftës shqiptare, Taci, i cili njihet edhe si një nga miqtë e kryeministrit të ri italian, Slivio Berluskoni, një nga njerëzit më të pasur në planet.
"Kompania e naftës mund të shfrytëzojë maksimalisht portin e rëndësishëm të Livornos", - argumenton faqja sportive italiane.
Së fundi për blerjen e Romës së familjes Sensi është i interesuar multimiliarderi hungarezo-amerikan Xhorxh Soros.
Në fakt, Rezart Taci nuk do të ishte i pari pronar shqiptar që zotëron aksione në një skuadër italiane. Menaxheri shqiptar i FIFA-s, Sokol Haxhiaj ka në pronësi të tij një pjesë të konsiderueshme aksionesh në klubin e Serisë C të Sansovinos (kategoria e tretë në Itali), por kësaj radhe flitet për një klub të Serisë A, një prej kampionateve më të fortë në botë.