E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tadiç: Do ta humbasim luftën me NATO-n në Kosovë

Presidenti serb, Boris Tadiç, ka deklaruar se Serbia në rast të dërgimit të policisë dhe ushtrisë në Kosovë do të hynte në luftë me NATO-n, të cilën do ta humbiste.

Në një intervistë për Radio Televizionin e Republikës Serbe në Bosnjë, kreu i shtetit serb ka rikujtuar se “të gjithë e kanë të njohur se Serbia në Kosovë nuk ka ushtrinë dhe as policinë e saj dhe se do të hynte në luftë me NATO-n kur do të dërgonte forcat e armatosura në Kosovë”.

“Nëse Serbia do të hynte në luftë me NATO-n, serish do të pësonte humbje, do të pësonte viktima të shumta dhe shkatërrim të pronës dhe kapaciteteve ekonomike”, është shprehur ai.

Në një situatë të tillë, Tadiç ka paralajmëruar se Serbia edhe për 20 vjet do të mbetej mbrapa në raport me shtetet e tjera.

“Nëse do të silleshim në këtë mënyrë, ne do të jemi njerëzit më të papërgjegjshëm, nuk do të mbronim asnjë jetë në Kosovë, pasi do ta humbisnim këtë luftë dhe do të humbisnim edhe kredibilitetin ndërkombëtar”, ka theksuar ai.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›