E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni Europian vlereson ligjin per mbetjet

Pas një debati të ashpër që ka shkaktuar ligji i menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri, vjen reagimi zyrtar i Komisionit Europian. Pas takimit që ministri i ambientit, Fatmir Mediu ka patur në Bruksel me Komisionerin përgjegjës për mjedisin, Janez Potoçnik, Komisioneri ka pranuar të prononcohet mbi këtë ligj :

Pyetje : Cili është qëndrimi i Komisionit Europian mbi ligjin e menaxhiit të mbetjeve, kryesisht aspektit të importit të tyre, që ka shkaktuar kaq debat në Shqipëri ?

Janez Potocnik, komisioneri për mjedisin:
“ Ligji për mbetjet është një hap i madh përpara. Është në përputhje me legjislacionin europian për trajtimin e mbetjeve. Gjithashtu, mënyra se si Shqipëria po e trajton importin e mbetjeve është në përputhje me legjislacionin europian, derisa Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Europian apo OSCD-së. Kështu po e shohin këtë çështje edhe ekspertët tanë. Kur ju të bëheni anëtar të Bashkimit Europian, ne mendojmë se do t’ju duhet ti hiqni masat shtrënguese.Por, deri atëherë mund të bëhet një punë e madhe për vendosjen e shumë standarteve dhe adoptimin e praktikave të mira. Ndaj, ne mendojmë, se ajo që thuhet në ligj është legjitime parë nga perspektiva e Bashkimit Europian”.

Shqipëria rezulton se ka një ligj më të rreptë sesa shtete e tjera të rajonit jo vetëm sepse ka kufizuar numrin e importit të mbetjeve, por ka rritur edhe kontrollin e tyre.

“ Shqipëria nuk e ka lejuar importin e mbetjeve. E ka kufizuar atë jo vetëm nga ana sasiore, por edhe në proçedure shumë më strikte sesa vendet e rajonit. Madje komisioneri tha, që të ardhmen ne duhet tê heqim këto dispozita shtrënguese”, ka deklaruar Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu.

Pyetje: Shqipëria ka disa vjet para përpara se të bëhet anëtare. Deri atëherë, ç’farë është konkretisht heqja e këtyre dispozitave resktriktive të përmendura nga komisioneri?
-Ne do zbatojmë të gjithë shtrëngesat në këtë pikëpamje për të ngritur një kontroll dhe monitorim të mbetjeve sa më të saktë jo vetëm më strukturat qeveritare, në mënyrë të veçantë doganat, por edhe me shoqërinë civile. E theksoj, se për një vit e ca është lejuar vetëm një leje importi. Gjithë debati që bëhet është ose mosnjohje ose mbrojtje të interesave të caktuara që nuk kanë të bëjnë me realitetin në Shqipëri.

Sipas vizionit të ri të Komisionit Europian, Shqipëria duhet ti trajtojë mbetjet tashmë si burim energjie.
“Mbetjet mund të përdoren për prodhim të energjisë elekrike, mbetjet organike mund të përdoren për çështje të bujqësisë. Të gjitha këto ne duhet ti konsiderojmë sa më parë. Politika europiane flet për menaxhim të mbetjeve pa landfille siç e tha dhe komisioneri. Ne jemi ende larg nga kjo, por ky është drejtimi që duhet të marrim.”, ka deklaruar Mediu.

80% e përafrimit të legjislacionit europian ka të bëjë me mjedisin me një kosto shumë të madhe. Tregues ky, që mjedisi trajtohet me prioritet të lartë në nivelin europian përkrah çështjeve ekonomike dhe sociale.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›