Tadiç: Nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës

Presidenti i Serbisë Boris Tadiç ka deklaruar se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Pas takimit me presidentin çek Vaclav Klaus në Pragë, Tadiç tha se ai do të pranonte një mision policor të EULEX-it për Kosovën, por refuzoi të shqyrtonte pavarësinë për ish provincën serbe.
Në takimet me Angela Merkel javën e kaluar, Tadiç ra dakord me sugjerimet e kancelares gjermane që Serbia të pranonte EULEX-in në të gjithë Kosovën dhe të kthehej në bisedime me Prishtinën.
Ajo po ashtu kërkon heqjen e strukturave paralele administrative, si postën dhe shkollat në veriun e Kosovës.
Merkel la të kuptohet se anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian do të varet nga përparimet e negociatave me Kosovën. Por Tadiç tha se Serbia nuk do të bënte konsensus me politikat e saj mbi Kosovën edhe nëse dëmton shanset e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian.