E Diel, 1 Nëntor 2026

Tadiç: Serbia me asnjë çmim nuk do njohë pavarësinë e Kosovës

Presidenti serb Boris Tadiç, në një intervistë për televizionin "Most" në Zveçan, ka deklaruar se Serbia kurrë dhe me asnjë çmim nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Tadiç tha se Serbia do të ndjekë një politikë aktive ndërkombëtare, duke u mbështetur në negociata si instrument me të cilin mund të arrihet zgjidhja e statusit të ardhshëm të Kosovës. Sipas mediave serbe, Tadiç ka thënë se Serbia nuk ka për qëllim të qeverisë me jetën e shqiptarëve në Kosovë dhe pavarësisht se çfarë mendojnë institucionet e përkohshme kosovare, siç i quajti ai, "kjo çështje për Serbinë nuk ka përfunduar, meqë në Kosovë nuk janë vendosur standardet që vlejnë për shtetet legjitime kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut, interesat e qytetarëve, sigurimin e shtetit të së drejtës, ligjit dhe lëvizjes së lirë". Tadiç ka theksuar se pret negociata pas marrjes së mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, duke i mbetur besnik politikës paqësore. "Dëshirojmë të ulemi me shqiptarët rreth tavolinës së bisedimeve dhe të gjejmë zgjidhje kompromise që vetëkupton edhe Serbinë në Kosovë dhe jo vetëm interesat shqiptare", ka thënë Tadiç, i cili ka shtuar se Serbia dëshiron të jetë pjesë e zgjidhjes në Kosovë, dhe jo pjesë e problemit, si dhe që Kosova bashkë me Serbinë të hyjnë në Bashkimin Europian. Ai në vazhdim ka përmendur edhe mjetet e mëdha monetare që Serbia po përdor për Kosovën.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›