E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu: Kosova ka sfida në veri

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu gjatë një ligjërate para anëtarëve të World Affairs Council në San Francisko të SHBA-ve ka thënë se Kosova nuk mund të harrojë atë çka ka ndodhur në të kaluarën dhe tragjeditë e tmerrshme që ka përjetuar nën pushtetin e dhunshëm të Serbisë. Megjithatë, Sejdiu është shprehur se ka vendosur ta mbyllë atë kapitull dhe të kthehet nga e ardhmja për të mirën e brezave të ardhshëm. Gjatë dy viteve të funksionimit të saj si shtet i pavarur dhe sovran, Republika e Kosovës, sipas presidentit Sejdiu ka shënuar suksese të jashtëzakonshme. "Fillimisht, -theksoi Sejdiu, janë demantuar të gjithë ata që thoshin se pavarësia e Kosovës do ta destabilizojë rajonin. Përkundrazi, pavarësia e Kosovës, i ka sjellë paqe dhe stabilitet rajonit, meqenëse të gjitha shtetet tona fqinje, me përjashtim të Serbisë, e kanë njohur Republikën e Kosovës dhe ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me këto vende", tha Sejdiu. Më pastaj, presidenti kosovar ka folur edhe për ekonominë e vendit, privatizimin, garancinë që i japin institucionet e Kosovës investuesve ndërkombëtarë të futen në tregun kosovar, resurset natyrore të Kosovës etj., - ndërsa ka potencuar se resursi kryesor i së ardhmes së Kosovës është rinia e saj. Sejdiu po ashtu ka folur edhe për pengesat që i bën Serbia shtetit të Kosovës, ku ndër të tjera përmendi edhe strukturat e saj paralele, sidomos në veri të vendit. Sipas presidentit Sejdiu, herët a vonë Serbia do të pajtohet me faktin se Kosova është shtet më vete, sovran dhe i pavarur, dhe do të heqë dorë nga veprimet që e minojnë të ardhmen e të gjithë popujve të rajonit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›