E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tadic bind “veriorët”

Presidenti i Serbisë i ka bindur strukturat paralele të Veriut që ta zbatojnë marrëveshjen e arritur me KFOR’in. Në një takim treorësh, të dielën mbrëma në Beograd, ata janë pajtuar me Boris Tadicin që problemet t’i zgjidhin në bashkëpunim me shtetin serb. Po ashtu, ata kanë thënë se KFOR’i dhe EULEX’i duhet ta zbatojnë Rezolutën 1244. Ndërkaq, për heqjen e barrikadave vendosin nesër. Nga Nexhmije Ahmeti më 08 gusht 2011 në ora 08:23

Presidenti i Serbisë, Boris Tadic ia ka dalë t’i bind udhëheqësit e strukturave paralele që të përmbushin marrëveshjen e arritur me KFOR-in dhe të ruajnë stabilitetin në veri të Kosovës. Tadic i ka takuar përfaqësuesit e serbëve të Veriut për më shumë se tri orë, të dielën mbrëma, në Beograd. Ata kanë kërkuar nga presidenti serb që shteti të insistojë në respektimin rigoroz të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së.

“Jemi marrë vesh që të gjithë bashkë të ruajmë qetësinë, unitetin dhe stabilitetin në atë pjesë të Kosovës, të vazhdojmë bashkëpunimin me bashkësinë ndërkombëtare dhe që në të gjitha kontaktet me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare të kërkojmë që të respektohet në mënyrë rigoroze Rezoluta 1244”, iu tha gazetarëve, pas takimit, Radenko Nedelkovic, shef i të ashtuquajturit Qarku i Mitrovicës. “Na është konfirmuar se kemi mbështetjen e plotë dhe bashkëpunimin e institucioneve të Republikës së Serbisë dhe jemi pajtuar që përfaqësuesit lokalë bashkë me kreun shtetëror t’i zgjidhin të gjitha problemet në veri të Kosovës, që do të thotë se kemi përkrahjen e plotë të institucioneve shtetërore”, shtoi ai.

Nedelkovic nuk u përgjigj në mënyrë precize në pyetjen se a do të hiqen të tri barrikadat në Veri, duke thënë se gjithsesi do të sigurohet qarkullimi dhe liria e lëvizjes në rrugët ku janë vendosur ato, ndërkaq si problematike e cilësoi barrikadën në Rudare, pasi që në mesin e rrugës është vendosur një kryq i lartë shtatë metra. Ai la të kuptohet se zhbllokimi i kësaj rruge do të marrë më tepër kohë. Sipas Nedelkovicit, në mbledhjen e Kuvendit të Komunave Serbe, të martën, do të diskutohet për përmbushjen e obligimeve që dalin nga marrëveshja me KFOR-in.

Në një komunikatë për media të Kabinetit të Tadicit thuhet se presidenti i ka porositur përfaqësuesit e Veriut se në Kosovë më së shumti nevojiten qetësia dhe bashkimi. Sipas komunikatës, pjesëmarrësit në takim janë pajtuar që KFOR-i dhe EULEX-i duhet të kenë status neutral në Kosovë.

Ministri Goran Bogdanovic tha se në takimin me Tadicin është biseduar për situatën në Veri dhe presidentit i është bërë e ditur se populli serb në Kosovë qëndron fort përkrah Serbisë dhe i bëson udhëheqësisë së saj.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Express...

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›