E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tri vjet pas luftës

Tri vjet pas luftës me Rusinë, e cila çoi në humbjen e Gjeorgjisë dhe njohjen e rajoneve separatiste nga ana e Moskës, situata në terren mbetet në rrugë qorre. Pa negociata reale dhe me pozicione kundërthënëse, ka pak shpresë për përparim. Nga Express më 08 gusht 2011 në ora 08:37

Kanë kaluar tri vjet që nga lufta e shkurtër mes Rusisë dhe Gjeorgjisë, ndërsa bllokimi politik mes dy vendeve vazhdon të mbetet.

Në mungesë të negociatave reale dhe me qëndrimeve kundërthënëse të palëve – ku Moska ka njohur rajonet separatiste të Gjeorgjisë, Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut, ndërsa Tbilisi këmbëngul se ato janë pjesë përbërëse e Gjeorgjisë – perspektiva për lëvizje përpara duket e zbehtë.

Gjatë kësaj jave, kryeministri rus, Vladimir Putin, ka spekuluar se Osetia e Jugut mund t’i bashkohet Rusisë. Presidenti Dimitri Medvedev ishte disi më pak i drejtpërdrejtë, por, megjithatë, i la hapur dyert për një mundësi të tillë.

“Nuk ka asnjë parakusht ligjor për këtë tani, por nuk mund të themi se çfarë do të sjellë e ardhmja. Situata mund të zhvillohet në çdo mënyrë. Duke e parë tani, mendoj se nuk ka parakushte ligjore apo ‘de facto’, që të ndodhë një gjë e tillë”, tha Medvedev.

Gjatë këtyre tri vjetëve, Rusia ka konsoliduar kontrollin e saj në Abkhazi dhe Osetinë e Jugut, duke futur trupat brenda, por njëkohësisht duke shkelur marrëveshjen për armëpushim, që i dha fund konfliktit të vitit 2008.

Medvedev i ka paraqitur Dumës ruse legjislacionin, për të bërë bashkimin doganor me rajonet separatiste.

Giga Zadania, profesor në Universitetin e Tbilisit, thotë se qëllimi i Rusisë në konflikt nuk është përqendruar vetëm në dy rajonet separatiste. Sipas tij, ajo do t’i shkatërrojë përpjekjet e përgjithshme të Gjeorgjisë për t’u bërë një vend modern, perëndimor e demokratik.

“Qëllimi i Rusisë, në thelb, ishte të pengonte projektin gjeorgjian. Mendoj për projektin e fundit të Gjeorgjisë, që bazohej në modernizimin e vendit”, thotë Zadania, sipas të cilit, qëllimi nuk është arritur.

Lufta dhe reagimi i komunitetit ndërkombëtar në prag të konfliktit thuhet se i ka çliruar gjeorgjianët nga pritjet joreale për integrim të shpejtë në Perëndim, e sidomos nga ideja se anëtarësimi i Gjeorgjisë në NATO është i sigurt dhe pashmangshëm.

Zadania thotë se elita politike në Gjeorgji tani e sheh si projekt të gjatë integrimin euro-atlantik, i cili varet shumë nga vendimet e tyre politike.

Irakli Alasania, i cili ishte ambasador i Gjeorgisë në Kombet e Bashkuara gjatë luftës së vitit 2008, ndërsa tani kryeson partinë opozitare “Gjeorgjia jonë - Demokratë të lirë”, pajtohet.

“Po e shohim më realisht procesin e integrimit. Kemi kuptuar se ka shumë punë për t’u bërë në gjyqësor, reformat legjislative, reformat ekonomike, që do të na sjellin më afër Bashkimit Evropian“, thotë Alasania.

Batu Kutelia, zëvendëssekretar i Këshillit Kombëtar të Sigurisë në Gjeorgji, i cili ishte zëvendësministër i mbrojtjes gjatë konfliktit të gushtit 2008, thotë se shteti gjeorgjian është i përqendruar në gjërat, që mund t’i bëjë për veten e tij.

Sipas tij, është shumë e rëndësishme për vendin të vazhdojë transformimin e tij demokratik dhe të vazhdojë reformat e tjera, “pa lejuar të jetë i hutuar nga provokimet e armiqve”.

Ky fokus i bën jehonë politikës së Shteteve të Bashkuara ndaj Gjeorgjisë, e cila është emërtuar si “durim strategjik”. Lincoln Michel, ekspert për Gjeorgjinë pranë Universitetit Kolumbia të Nju Jorkut, është skeptik ndaj konceptit.

“Pozicioni zyrtar i Amerikës është “durimi strategjik”, i cili shtrihet mbi idenë se Gjeorgjia po lëviz drejt shtetit absolutisht demokratik dhe se abkhazët thjesht do të duan të kthehen dhe të jenë pjesë e Gjeorgjisë . Kjo është kryesisht e bazuar në fantazi dhe në një lloj propagande”, thotë Michel.

Në të ardhmen afatshkurtër, Alasania thotë se gjëja më e rëndësishme për Gjeorgjinë janë zgjedhjet e lira në maj të vitit 2012, të cilat ai pret se do të sjellin një legjislaturë më pluraliste dhe do ta shtyjnë debatin politik nga rruga në parlament.

Si vendimtare, ai i sheh edhe zgjedhjet presidenciale të vitit 2013. Ka pasur spekulime në Tbilisi se presidenti, Mikhail Sakashvili, mund të përpiqet për të mbetur në pushtet, duke marrë postin e ri të kryeministrit.

Alasania thotë se një hap i tillë, i cili ironikisht do të kopjonte taktikën e Vladimir Putinit për të mbetur në pushtet në vitin 2008, do të ishte i dëmshëm për zhvillimin e demokracisë në Gjeorgji.

“Ne duhet të sigurohemi se Sakashvili nuk do ta ‘putinizojë’ veten”, thotë Alasania.
Pak në Gjeorgji presin apo shpresojnë se kontesti me Rusinë apo statusi i Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut, do të mund të zgjidhen në të ardhmen e afërt.

I pyetur se cili do të ishte skenari më i keq dhe cili më i mirë në tri vitet e ardhshme, presidenti i Fondacionit Gjeorgjian për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, Aleksander Rondeli, thotë: “Skenari më i keq është një regjim pro-rus në Tbilisi dhe kontrolli i rusëve në gjithë Kaukazin Jugor. Ndërsa, skenari më i mirë ndodh nëse qëndrojmë ku jemi – drejt zhvillimit pa ndërhyrjen ruse”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›