E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çelësi për Veriun

Nga Express më 08 gusht 2011 në ora 08:33

Ish-diplomati amerikan, Morton Abramowitz ka deklaruar se problemi i Kosovës nuk mund të zgjidhet pa gjetur zgjidhje për veriun e Kosovës, e çelësi për këtë, sipas tij, ndodhet në Beograd.

Për të ardhmen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ai konsideron se nuk ka më dialog, sepse të dyja palët “janë hidhëruar shumë javën e kaluar”.

”Kjo nuk do të thotë se palët nuk do të tërhiqen dhe se BE’ja nuk do të provojë sërish të vendosë një marrëveshje, por konsideroj se këto negociata janë goditur rëndë”, citohet të ketë thënë për RFE.

Abramowitz thotë se edhe serbët më me ndikim i kanë thënë se nuk mund të heqin dorë nga Kosova pa marrë diçka si kundërshpërblim.

“Nuk e di a është kjo një pikëpamje afatgjatë ose pozicionim negociator, por për politikanët e Beogradit, kjo është çështje shumë e vështirë”, ka thënë ai.

Sipas tij, Boris Tadic e ka shumë vështirë të heqë dorë nga Veriu dhe të marrë vendim që serbët të ndalen së kontrolluari këtë pjesë të Kosovës.

“Problemi thelbësor është politika serbe në Kosovë dhe Bosnje dhe derisa të mos zgjidhen këto probleme, derisa të mos ndryshojë kjo politikë, nuk jam optimist që do të shohim ndonjë përparim”, ka thënë ish-diplomati amerikan.

”Pa u zgjidhur problemi në veri të Kosovës, është shumë e mundshme që të mos zgjidhen as problemet në Bosnje”, ka shtuar Abramowitz.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›