E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika dhe universitetet private

BLEDAR KURTI

Sa herë që komponentë të politikës përjetojnë vakume idesh dhe kur nuk kanë se çfarë ti bëjnë apo si ta akuzojnë kundërshtarin, nisin avazin e sulmeve ndaj universiteteve private. Disa kohë më parë, Presidenti i Republikës, jashtë çdo konteksti politik, nisi sulmet ndaj universiteteve private në vend, të cilat, sipas tij, po dëmtojnë administratën publike. Pas komentit të Presidentit mbi universitetet private, u sul edhe opozita të mbajë të njëjtin qëndrim. Por, nëse opozita ka kohë që deklaron se universitetet private janë mina me sahat, ndërkohë shumë deputetë të saj japin mësim në këto ambiente të minuara, dhe kuptohet se për shkak se është opozitë kërkon të hapë debate publike ku të mundet me maxhorancën, Presidenti, i cili vjen nga e djathta dhe promovon një parti të re po të djathtë, kritikon iniciativën private, e cila është edhe rrënja e kredos së spektrit të djathtë. Ky autogol i pakuptimtë i politikës dhe herezi ndaj vetë ideologjisë politike të zhvillimit, dëshmon për një mospërgjegjshmëri nga ana e Presidencës dhe opozitës dhe shumë komponentëve të tjerë politikë, që po hedhin shashka të pakuptimta jo vetëm ndaj nismave private në fushën e edukimit, por edhe ndaj dhjetëra mijëra të rinjve që i kanë hyrë jetës akademike dhe prindërve të tyre që po shpenzojnë kursimet familjare, madje shpeshherë duke marrë borxhe dhe kredi në bankë për tu siguruar fëmijëve një të ardhme sa më të mirë Është e vërtetë që ka me dhjetëra universitete private, por kjo nuk nënvlerëson as diplomat dhe as energjitë e studentëve apo paratë e prindërve. Përkundrazi, nxit konkurrencën si të nismave private, ashtu edhe të aftësive dhe aspiratave të brezave të rinj. Universitetet private kanë qenë shpesh temë e retorikave politike, por sa herë është diskutuar mbi to, nuk ka pasur asnjëherë një qasje profesionale, pasi nuk thuhet se vërtet ato janë nisma private, por janë shumë të kontrolluara nga shteti, si kurrikulat e tyre, ashtu dhe vendosja e masave të rrepta filtruese, siç është provimi shtetëror, me anë të të cilit shteti nuk të jep licencën e profesionit, pavarësisht se ku diplomohet studenti, në publik apo privat, dhe testi i gjuhës angleze TOEFL, i cili nuk i lejon të diplomuarit që nuk janë në kontakt me literaturën ndërkombëtare të vazhdojnë studimet pasuniversitare. Së fundi u shtua me ligj edhe kontrolli i kompjuterizuar i disertacioneve në mënyrë që të ndalohen plagjiaturat dhe gradat e pamerituara shkencore. Ajo që lihet jashtë retorikave politike mediatike, është fakti se në universitetet shqiptare japin mësim ajka e akademisë shqiptare. Në to japin mësim profesionistët më të mirë të ekonomisë, jurisprudencës, medias, psikologjisë, shkencave ekzakte dhe arteve liberale, madje edhe vetë politikanë të majtë dhe të djathtë. Degradimi i universiteteve shqiptare është një legjendë e sajuar, pasi profesorët dhe pedagogët e sotëm kanë përgatitje perëndimore dhe vijnë nga universitete me emër të SHBA, Britanisë së Madhe, Holandës, Austrisë, Italisë etj. Kjo është arsyeja që, përtej retorikës politike, vetë politikanët, të majtë dhe të djathtë, i kanë regjistruar fëmijët e tyre në universitetet shqiptare, publike dhe private. Përveçse është bad politics, pasi duke frikësuar studentët dhe prindërit humbasin me dhjetëra mijëra vota (sepse askush nuk do ti japë votën atij që do tia skualifikojë diplomën), çështja e liberalizimit të universiteteve private duhet të sjellë në vëmendjen e politikanëve plagët sociale të rinisë së sotme. Nga problematikat më të mëdha të shoqërisë së sotme janë vënia e basteve sportive dhe lojërat e fatit. Rinia e sotme shpenzon më shumë kohë duke vënë baste dhe duke luajtur në Apex, sesa duke kryer ndonjë aktivitet tjetër. Por, në vend që politika të merret me këtë plagë sociale si dhe me papunësinë e rinisë, ato merren me instrumentin që e mban këtë rini larg rrugës, larg kafeneve dhe larg veseve degraduese të një shoqërie. Nëse rinia e sotme nuk do të kishte hapësirën për tu edukuar, përqindja më e madhe e saj do të fillonte bixhozin dhe frekuentonte pikat e basteve. Universiteti ofron auditorë në vend të rrugës, literaturë në vend të basteve, etikë qytetare dhe intelektuale në vend të lojërave të fatit, dhe nxit konkurrencën në vend të papunësisë. Sigurisht që sistemi universitar ka hapësirë për tu përmirësuar. Sigurisht që duhen hapur shkolla profesionale për tu përshtatur me tregun e punës dhe zhvillimet e kohës, por reformat në arsim duan kontribut profesional dhe mbështetje nga të gjitha forcat politike, pasi nuk na prek vetëm ne sot, por edhe fëmijët e fëmijëve tanë në të ardhmen.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›