Tadic kërkon heqjen e barrikadave, opozita e quan thirrje skizofrene

“Në këtë situatë vetëm ekstremistët kanë dobi dhe në një atmosferë të këtillë, problemet nuk zgjidhen dot”, u ka thënë Tadiq gazetarëve në Beograd.
Çdo përshkallëzim në Kosovë, ka thënë Tadiq, rrezikon interesin e Serbisë dhe se gabimet e viteve të 90’ta nuk guxojnë të përsëriten më.
Ndërsa, nënkryetari i Partisë Radikale Serbe, Dragan Todoroviq, ka thënë sot se thirrja e presidentit serb Boris Tadiq për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës “është e pakuptimtë dhe skizofrene”, sepse serbët, sipas tij, në këtë formë mbrojnë mbijetesën e tyre në Kosovë.
Në një deklaratë dhënë agjencisë serbe të lajmeve Beta, Todoroviq ka thënë se Tadiq duhet t’i bëjë thirrje OKB-së, që të pengojë NATO-n në përpjekjet për ta “ndarë Kosovën nga Serbia”.
“T’i ftosh serbët të tërhiqen nga barrikadat është një hap i pabesueshëm, sepse ato serbët i kanë ngritur për të mbrojtur të drejtën elementare dhe të rrezikuar për jetesën”, ka thënë Todoroviq. /rel/