Protesta për tokat, banorët bllokojnë rrugën
ORIKUM - Në ditën e 12-të të protestës, banorët e Orikumit, Tragjasit dhe Dukatit bllokuan dje për rreth dy orë rrugën nacionale, që lidh Vlorën me pjesën tjetër të jugut. Rreth 200 banorë bllokuan urën në Orikum, duke mos lejuar të kalojnë as mjetet, as nxënësit e shkollave të kësaj zone e madje as ushtarakët e uzinës së Pashalimanit. Vargu i automjeteve arriti në rreth 1 kilometër, ndërsa nuk mungoi as konfrontimi i protestuesve me drejtuesit e makinave, nxënësit e shkollave të mesme apo edhe punonjës të tjerë të administratës. Policia e pranishme nuk shoqëroi persona, por gjithsesi, edhe ajo u konfrontua me banorët që kishin zënë rrugën nacionale. Ata theksuan edhe dje shkeljen që sipas tyre po i bëhet ligjit 7501. Dikur këta banorë kanë qenë punonjës së Ndërmarrjes Bujqësore, dhe si të tillë janë përfitues nga ligji 7501 për rreth 450 ha sipërfaqe. Por dhënia e këtyre tokave pronarëve të tjerë ka ngjallur reagimin e atyre që e kanë në përdorim. Sipas tyre nuk është vetëm ky abuzimi i bërë nga komisioni i kthimit dhe kompensimit të pronave. “Tokat që dikur kanë qenë ujë dhe shkurre sot janë të regjistruara në kategorinë e arave”, thanë ata. Pas dy orë proteste, banorët u larguan duke kërcënuar se do të vijojnë edhe ditët e tjera të bllokojnë aksin nacional. Protesta e banorëve të Orikumit nisi 12 ditë më parë me bllokimin e derës së bashkisë. Ata nuk lejuan asnjë punonjës, e madje as kreun e bashkisë së Orikumit të futeshin brenda institucionit të tyre derisa të arrinin në një kompromis me ta. Më pas, kryetari i Bashkisë së Orikumit iu premtoi banorëve, që do të ndërmjetësonte me qeverinë për zgjidhjen e problemit të tyre. q.b