Lushnjë, aksidentohet motoçiklisti
LUSHNJE - Aksident me pasojë vdekje ndodhi dje në superstradën Lushnjë-Fier në vendin e quajtur “Pushimi i shoferit”. Sipas policisë, viktima Sokrat Gjini, 58 vjeç nga fshati Këmishtaj ishte duke udhëtuar me motor në momentin që tentoi të kalonte nga njeri krah i autostradës në tjetrin. Sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes Gjini, i ka prerë rrugën automjetit tip fuoristradë me targa të Kosovës 466 KS 898. Si pasojë e kësaj përplasjeje 58 – vjeçari gjeti vdekjen e menjëhershme. Policia doli në konkluzionin se shkak i aksidentit ishte prerja në mënyrë të papritur e rrugës nga drejtuesi i motorit. Banorët e fshatit Këmishtaj dhe të fshatrave përreth kërkojnë një nënkalim në këto zona. Sipas tyre lëvizjet e banorëve janë të shumta për shkak se tokat e tyre janë në anën tjetër të autostradës. m.r