E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagoset kryemyftiu i Pukës

 

PUKE/ RIDVAN DIBRA

Plagoset myftiu i qytetit të Pukës. Pasi ka bërë faljen e mbrëmjes së të enjtes, Gëzim Kopani është përballur me dy persona, duke u lënduar gjatë konfrontimit me ta. Policia e Pukës u ngrit në këmbë, pasi mori denoncimin nga 26-vjeçari, por shumë shpejt u mësua se motivet nuk kishin të bënin me detyrën e tij. Sipas policisë, një grindje e të afërmve të myftiut Kopani ka sjellë dhe përplasjen mes dy të rinjve Ylber Smakaj, 31-vjeçarit nga Fushë-Arrëzi dhe Ermal Prengajt, 19 vjeç nga Tropoja. Burimet zyrtare të komisariatit të policisë bëjnë të ditur se ngjarja u shënua mbrëmjen e së enjtes, sapo myftiu kishte mbaruar faljen e darkës në xhaminë e qytetit e po kthehej në shtëpi. Papritur, përballë tij janë shfaqur dy shtetasit, Smakaj dhe Prengaj. Ata kanë nisur të debatojnë me myftiun, për hir të grindjes së mëparshme të familjarëve të kreut të Komunitetit Mysliman në Pukë. Pas debatit me fjalë grindja ka vazhduar në përleshje fizike mes Kopanit dhe Smakajt. Këtij të fundit mësohet që t’i ketë ardhur në ndihmë edhe shoku i tij Prengaj. Dy shokët janë larguar, ndërsa Kopani, ende me shenjat e goditjeve, i është drejtuar komisariatit të policisë së Pukës, ku dhe ka bërë kallëzim penal ndaj dy djemve. Paraditen e djeshme, policia e Pukës arriti që të bëjë shoqërimin e Ylber Smakajt. Ai është marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen e ndodhur. Për shkak të plagëve të lehta, policia e la të lirë Smakajn. Pritet që të shoqërohet dhe shoku i Smakajt, Ermal Prengaj, për të dhënë variantin e tij për ngjarjen. Pavarësisht motiveve, kjo ngjarje ka ngjallur reagime te komuniteti mysliman. Kopani ishte një ndër anëtarët e Komunitetit, i cili gjatë debatit të hapur për kreun muajin e shkuar kërkoi që t'i hapej rrugë dialogut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›