Dosja e kontrabandës së cigareve përfundon për shqyrtim në Gjykatën e Lartë
Dosja e bujshme për kontrabandën e cigareve ka përfunduar në Gjykatën e Lartë. Prokuroria ka vendosur të ndjekë të gjitha shkallët e gjyqësorit për këtë dosje, duke sjellë sërish në vëmendje akuzat ndaj disa të pandehurve. Burime pranë Gjykatës së Lartë pohuan se për këtë dosje është vendosur të shqyrtohet më 7 prill. Të pandehurit janë Ndoc Gjergji, Ardian Cani, Bilal Koçi, Fatmir Zotaj, Gentian Koçi, Leonard Koka, Skënder Thaçi dhe Tahir Hoxha. Arrestimi i këtyre të pandehurve dhe i disa të tjerëve u përfol me shumë bujë fillimisht nga institucionet e Drejtësisë shqiptare. Mirëpo ndërsa dosja u dërgua për gjykim në Gjykatën e Krimeve të Rënda, fillimisht prokuroria hoqi dorë nga akuza e grupit të strukturuar kriminal, duke i hequr shumë vite burg secilit prej të pandehurve. Më pas, edhe pretenca nga gjithë ai pompozitet që u servir operacioni i policisë ishte tejet qesharake. Vendimet që u dhanë në shkallën e parë u lanë në fuqi edhe në shkallën e dytë të Gjyqësorit, ndërsa tani do ta thotë fjalën e saj Gjykata e Lartë për t’i vënë njëherë e mirë kapakun kësaj dosje. Gjithçka nisi në muajt e parë të vitit 2005, kur policia bllokoi në Portin e Durrësit dhe në magazinat e Shkozetit disa kontejnerë cigaresh kontrabandë. Anijet “Eni” dhe “Poseidon” u sekuestruan pas hetimeve paraprake. Sipas prokurorisë, bëhej fjalë për një grup të strukturuar kriminal që merrej me kontrabandën e cigareve nga Mali i Zi për në tregun europian. I pari që përfundoi në pranga ishte pronari i anijes “Eni”, Fatmir Zotaj dhe ekuipazhi. Pas arrestimit, Zotaj pranoi të bashkëpunonte me Prokurorinë për të zbuluar rrjetin. Pas dëshmisë, policia, në shtator të vitit 2005, arrestoi të pandehurin tjetër në këtë proces, Leonard Koka. Prangave nuk u shpëtuan as disa punonjës policie në Portin e Durrësit. Të vetmit që nuk u arrestuan ishin Ndoc dhe Ardian Gjergji.
29 Mars 2010