E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet 17-vjeçarja e zhdukur, ishte larguar me dëshirë



FIER – Gjendet adoleshentja e zhdukur prej më shumë se një jave më parë. Erlinda Mulla, 17-vjeçarja nga Paskuqani i Tiranës, e cila rezultonte e humbur prej 8 ditësh, është gjetur ditën e djeshme në qytetin e Fierit.
Sipas Policisë së Tiranës mësohet se pas hetimeve kishin arritur të kontaktonin me vajzën rreth orës 03:00 të mëngjesit të së shtunës. Sipas të dhënave të para, vajza ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe kishte deklaruar se ishte larguar me dëshirë nga banesa. Policia thotë se vajza ishte shoqëruar nga një person tjetër, i cili është marrë në pyetje nga policia.
Adoleshentja ishte e martuar dhe bashkëshorti i saj jetonte në Itali. Mësohet se gjatë hetimeve Policia e Tiranës kishte marrë në pyetje familjarë, të afërm, por edhe të njohur të adoleshentes. Nga hetimet është mësuar se vajza, e cila pas martesës jetonte në shtëpinë e prindërve të të shoqit, kishte edhe një celular që e mbante fshehurazi. Erlinda Mulla, ende pa mbushur 17 vjeçe, ishte larguar nga banesa të premten e kaluar për të blerë një pako me aspirina dhe nuk ishte kthyer më. Tine Picaku, vjehrra e vajzës dhe Flamure Mulla, e ëma, denoncuan zhdukjen e mistershme në polici.

Katër të plagosur në tre aksidente

Sërish janë përgjakur rrugët e vendit gjatë ditës së djeshme. Tri aksidente janë regjistruar me pasojë katër të plagosur. Aksidenti i parë është shënuar në qytetin e Durrësit, ndërsa dy aksidente të njëpasnjëshme kanë ndodhur në aksin Lezhë-Shkodër.
Një burrë dhe grua që udhëtonin nga Durrësi në drejtim të kryeqytetit janë plagosur rëndë mëngjesin e djeshëm kur automjeti i tyre është përplasur më një nga shtyllat metalike të urave për këmbësorë, afër mbikalimit të Shkozetit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:20, kur automjeti me targë angleze CF 04 HSY është përplasur me urën e këmbësorëve dhe ka shpërthyer në flakë.
Sipas policisë, të aksidentuarit janë dërguar përkatësisht në Spitalin Ushtarak të Tiranës dhe në Spitalin rajonal të Durrësit, ku po u nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale.
Deri tani njihet vetëm identiteti i drejtuesit të automjetit. Ai është M. Jella, 35 vjeç, nga Dibra, ndërsa mbetet ende i panjohur identiteti i gruas që e shoqëronte. Sipas hetimeve paraprake, shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e madhe.
Vetëm pak orë më pas dy aksidente të njëpasnjëshme kanë ndodhur në aksin Lezhë-Shkodër. Ne aksidentin e parë, në afërsi të lumit Mat, një kamion me targa shkodre me drejtues Xhovalin Barbullushin është përplasur me makinën tip “Land Rover” me targë greke. Si pasojë e parakalimit të gabuar janë plagosur drejtuesit e dy automjeteve, Xhovalin Barbullushi dhe Landi Gila. Aksidenti tjetër ka ndodhur po në këtë aks, te vendi i quajtur kryqëzimi i rrugës së Kosovës. Një kamion ka goditur një furgon, por fatmirësisht nga ky aksident nuk ka pasur të lënduar.

29 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›