Tadiç në Deçan: Kosova në BE si pjesë e Serbisë
Gjatë vizitës në Manastirin e Deçanit, Tadiç ka përsëritur gjatë gjithë kohës se kishte ardhur për paqe, ndërkohë që nuk kanë munguar mesazhet politike me përmbajtje të dyfishta.
Presidenti serb deklaroi para gazetarëve se të gjitha problemet që kanë pasur popujt e Ballkanit mes tyre, si serbët edhe shqiptarët, duhet t’i mbeten të shkuarës.
Sipas tij, tashmë është koha që të gjithë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian, si e ardhmja e vetme për qytetarët e Ballkanit. Në ditën e parë të vizitës në Kosovë, Tadiç i shmangu referimet politike përpara mediave shqiptare.
Ndërkohë, presidenti serb uroi Vitin e Ri në gjuhën shqipe në brendësi të Manastirit të Deçanit, ku në fakt nuk ishte lejuar asnjë media shqiptare. Kjo është vizita e tretë e presidentit serb në Kosovë që pas shpalljes së pavarësisë.