E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria miraton strukturën e re të Akademisë së Shkencave



Jonida Tashi

Qeveria ka miratuar dje strukturën e re administrative të Akademisë së Shkencave, e cila do të ketë gjithsej 31 punonjës. Në zbatim të ligjit të 11 dhjetorit të vitit 2006, “Për Akademinë e shkencave të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, është propozuar struktura organizative e administrative e kësaj akademie. Në strukturën organizative, sipas ligjit, përfshihen kryesia e akademisë, e përbërë nga kryetari, zëvendëskryetari dhe sekretari shkencor (tre akademikë), dy seksionet shkencore që janë seksioni i shkencave natyrore e teknike dhe ai i shkencave shoqërore, albanologjike, që, sipas ligjit, drejtohen nga dy akademikë dhe do të kenë përkatësisht nga një sekretar shkencor(Profesor) dhe nga një asistent të seksionit (me arsim të lartë).
Puna kërkimore
Ndërsa puna kërkimore-shkencore e Akademisë do të realizohet jo vetëm nga anëtarët e Akademisë (akademikët) dhe anëtarët e asociuar, por edhe nga punonjës, shkencorë dhe mësimorë nga më të mirët në vend. Këta punonjës, të cilët do të përfshihen në komisione të posaçme shkencore, mund të jenë nga universitete publike ose private, institucionet shkencore publike e private etj. Projektvendimi i qeverisë për strukturën e re të akademisë ka përcaktuar që këto komisione shkencore pranë seksioneve të akademisë do të merren me probleme të rëndësishme të kërkim-zhvillimit dhe me hartimin e mjedisit, gjeologjisë, gjeofizikës, ndërtimit, bujqësisë, mjekësisë si dhe shkencat albanologjike, sociologjike, ekonomike etj. Puna do të realizohet me projekte, që do të konkurrojnë e do të mbështeten me fonde publike e private, nga organizma ndërkombëtarë si: Brukseli, programet e NATO-s-Shkenca për paqen, UNESCO, UNDP, UNIDEO etj.), me projekte të bashkëpunimit ndërmjet akademive në përputhje me protokollet e marrëveshjeve.
Problemet
Qeveria gjithashtu ka vendosur që problemet rutinë të kërkim-zhvillimit dhe të projekteve do të ndiqen përveç seksioneve edhe nga një punonjës shkencor me titullin profesor, i cili do të jetë pjesë e seksionit të shkencave natyrore dhe teknike. Ndërsa dega e personelit dhe sekretaria e kryesisë do të ketë një përgjegjës për sistemimin dhe menaxhimin e personelit, si identifikimi i nevojave, trajnimi, zhvillimi i karrierës, motivimi, si dhe për organizmin e strukturave, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Njëkohësisht ai do të ndjekë korrespondencën dhe problematikat e ndryshme që kanë të bëjnë më Akademinë. Ndjekja e marrëdhënieve me jashtë do të bëhet nga dega e marrëdhënieve me jashtë dhe publikun, që do të drejtohet nga një punonjës i kualifikuar e me njohje të mirë të gjuhëve të huaja, ku kryesore është përcaktuar anglishtja, frëngjishtja dhe ndonjë gjuhë tjetër.

Struktura e administratës së Akademisë së Shkencave
Kryesia
Kryetar 1
Zëvendëskryetar 1
Sekretar Shkencor 1
Dega e personelit dhe sekretaria e kryesisë
Kryetar dege, sekretar 1
Seksionet shkencore
Seksioni i shkencave natyrore e teknike
Kryetar i seksionit(Akademik) 1
Sekretar shkencor i seksionit (Profesor) 1
Punonjës shkencor për projektet (Profesor) 1
Asistent i seksionit (Arsim i lartë) 1
Seksioni i shkencave shoqërore albanologjike
Kryetar i seksionit(Akademik) 1
Sekretar shkencor i seksionit (Profesor) 1
Punonjës shkencor për projektet (Profesor) 1
Asistent i seksionit (Arsim i lartë) 1
Dega e marrëdhënieve me jashtë dhe me publikun
Kryetar dege 1
Dega e botimeve shkencore
Botime periodike shkencore në gjuhë të huaj Studia Albanica (Revistë)
Albania Journal Natyral and Technical Sciences (Revistë) Redaktor shkencor 2
Botime të veprave të rëndësishme shkencore Monografi, traktate, studime
Redaktor 1
Specialist-editor 1
ICT-administrator 1
Specialist, markenting libri 1
Dega e financës dhe administratës
Kryetar i degës 1
Financiere buxheti 1
Protokoll-arkivist 1
Magazinier-mirëmbajtje 1
Kaldajist-portier 1
Shoferë 3
Pastruese 1
Biblioteka shkencore
Përgjegjës (me gradë shkencore) 1
Bibliografë 1
Bibliotekare 1
Pastruese 1
Gjithsej numri i punonjësve 31

Mosdeklarimi, regjistroni fëmijët që të përfitoni 5 mijë lekë
Nënat që nuk kanë deklaruar dhe regjistruar fëmijët e lindur deri tani dhe që u ka kaluar afati, do të përfitojnë një ndihmë prej 5 mijë lekësh nëse do ta bëjnë këtë veprim brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit të mëposhtëm. Në të kundërt, nëse një gjë e tillë do të vërtetohet nga strukturat përkatëse nëna do të dënohet me gjobë po me 5 mijë lekë. Ky është vendimi më i fundit i qeverisë, që do të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren zyrtare, që synon reduktimin dhe eliminimin e fenomenit të mosregjistrimit të lindjeve në zyrat e gjendjes civile. Sipas ligjit “Për gjendjen civile”, kur regjistrimi i lindjeve deklarohet brenda 60 ditëve, për lindjen brenda vendit, dhe 90 ditëve, për lindjen jashtë vendit, nëna përfiton shpërblim, në masën 5 mijë lekë. Ky fond përballohet nga buxheti i shtetit dhe tërhiqet pranë njësive të qeverisjes vendore përkatëse. Lindja e fëmijës deklarohet te nëpunësi i gjendjes civile nga prindërit, pjesëtarët madhorë të familjes, përfaqësuesit ligjorë ose kujdestarë, dhe, në pamundësi ose mungesë të tyre, nga personat, që kanë të drejtë të vërtetojnë lindjen. Deklarimi mund të bëhet edhe nga përfaqësues të nënës, me prokurë të posaçme. Deklarimi i lindjes së fëmijës së gjetur, të cilit nuk i dihen prindërit, bëhet nga organet e njësisë së qeverisjes vendore, organi i rendit publik, në juridiksionin e të cilit ndodhet vendi i gjetjes, në bazë të procesverbalit të mbajtur në kohën e gjetjes së fëmijës. Regjistrimi i lindjes së fëmijës bëhet në zyrën e gjendjes civile të vendbanimit të prindërve. Për fëmijën e gjetur, të cilit nuk i dihen prindërit, regjistrimi bëhet në zyrën e gjendjes civile të vendit, ku është gjetur. Për fëmijët e lindur jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë nga shtetas shqiptarë, me banim të përhershëm në Shqipëri, regjistrimi i lindjes së fëmijës bëhet në përfaqësitë, diplomatike ose konsullore, shqiptare të vendit, ku ka lindur. Kur kjo është e pamundur, regjistrimi bëhet edhe në shërbimin e gjendjes civile, të atij vendi. Të gjitha subjektet shëndetësore, shtetërore dhe private, që kanë të drejtë të vërtetojnë lindjen, janë të detyruara që çdo ditë te hënë, të dërgojnë në zyrat e gjendjes civile, ku prindërit kanë vendbanimin, njoftimin për lindjet e ndodhura, pranë institucioneve të tyre. Njësitë operative të policisë, në terren, në bashkëpunim me njësitë e qeverisjes vendore, konstatojnë dhe konfirmojnë, në rrugë zyrtare, rastet e lindjeve dhe regjistrimin e tyre nga personat e parashikuar, në zonën, që ata mbulojnë.

15 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›