Tadiç pohon sërish se u ka kërkuar falje shqiptarëve
“Po e bëj këtë sërish, sepse besoj që jo vetëm në kohën e festave fetare duhet kërkuar falje nga njëri-tjetri, për krimet të cilat i ka bërë në të kaluarën dikush në emrin tonë nacional. Do të isha i lumtur po qe se një kërkimfalje e tillë do t'i dërgohej edhe popullit serb", ka thënë Tadiç dje në Banjallukë, pasi ka deklaruar se tashmë u ka kërkuar falje qytetarëve të Kroacisë, por edhe boshnjakëve dhe shqiptarëve për shkak të krimeve të cilat në emër të Serbisë i kanë bërë "disa" pjesëtarë të popullit serb.
Sipas Tadiçit, me qindra mijëra krime të bëra në Kroaci, Bosnje Hercegovinë dhe në Kosovë janë kryer vetëm nga "disa pjesëtarë" të popullit serbë. Presidenti serb edhe vitin e kaluar në Kolumbia Universitet në Nju Jork ka thënë se u ka kërkuar falje shqiptarëve. Por e vërteta është se ai kurrë nuk u ka kërkuar falje shqiptarëve, andaj duket cinik dhe i pamoralshëm një pohim i tillë.