Tadiç s'ftohet në një takim të presidentëve të rajonit
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç nuk do të ftohet në një takim joformal të presidentëve të rajonit që do të organizojë presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu në janar të vitit të ardhshëm. Lajmin e ka konfirmuar vetë presidenti Sejdiu në konferencën e fundvitit me gazetarët. Ai tha se homologët e tij nga Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi do të jenë pjesëmarrës në takimin që pritet të mbahet në Prizren, për të diskutuar thellimin e bashkëpunimit rajonal. Presidenti kosovar tha se nuk mund ta ftonte presidentin e Serbisë, Tadiç përderisa ai vazhdon të punojë kundër pavarësisë së Kosovës.
"S'do ta ftoj për të bërë lojë. Një njeri që me gjithë energjinë e vet shprehet kundër pavarësisë së Kosovës, bën fushatë me hovin më të madh në të gjitha kancelaritë botërore për të penguar njohjet e mëtejshme. Unë mendoj se qëndrimi ynë themelor është që nesër figurativisht të kemi raporte të mira me Republikën e Serbisë. Ne edhe sot jemi të gatshëm, por jo për lojë, absolutisht. Por do të vijë koha kur Tadiç do të ftohet, mbase edhe do të ftohemi. Ne jemi absolutisht gjithmonë të gatshëm që të investojmë për raporte të mira ndërshtetërore, por jo kurrë asnjëherë, asnjëherë, asnjëherë e theksoj fuqishëm të bisedohet për tema çfarë ata tani t'i vëjnë për ri-negociim apo çështje të reja të statusit të Kosovës", tha presidenti Sejdiu.