Tadiç shprehet optimist për vazhdimin e dialogut me Kosovën

KFOR në Veri të Kosovës
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, u shpreh dje optimist për vazhdimin e dialogut të ndërprerë me Kosovën, pas kushtëzimit nga ana e Komisionit Europian për normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën, si kusht për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE. Dje, pas takimit me komisionerin europian për Zgjerim, Stefan Fyle, në Beograd, Tadiç tha se “Do të vazhdojmë reformat, do të vazhdojmë dialogun me Prishtinën dhe jam optimist se kjo është e mundshme. Shoh vështirësi në realizimin e këtyre reformave, shoh vështirësi në procesin e dialogut me Prishtinën, shoh domosdoshmëri të caktuara që të qartësohen çështjet edhe me fqinjët tanë, por është plotësisht e qartë se Serbia nuk do të heqë dorë nga parimet e vendosura”. Në një deklaratë, më parë Tadiç ishte shprehur se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën. Dialogu teknik u ndërpre muajin e kaluar, pasi serbët kërkuan hapjen e bisedave politike për pikat kufitare 1 dhe 31 në Veri dhe situatën në zonat e banuara nga serbët, të cilët kanë barrikaduar rrugët në Veri, që të çojnë në pikat doganore. Situata në Veri po mbikëqyret nga KFOR, por paqeruajtësit ndërkombëtarë kanë deklaruar se, edhe pse është domosdoshmëri heqja e barrikadave dhe është në axhendën e tyre, eprorët nuk kanë vendosur asnjë afat për këtë proces. Heqja e barrikadës së parë nga KFOR u shoqërua me plagosjen e katër ushtarëve nga serbët në Veri.